Parahyrje rreth përgjigjeve

Krijuesi Krijuesi i Madhëruar e ka inspiruar fëmijën që t’i dojë pyetjet, në atë mënyrë që të shtojë në bagazhin e mendjes së tij sa më shumë që të ketë mundësi nga botëkuptimet dhe informatat aq sa llogaritet etapa e fëmijërisë sikur etapa e pyetjeve, pasi shumica e bisedës së fëmijës në këtë moshë është në formë të pyetjeve.Shiko: “Te’sis aklijetil tifël” Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 10.

Kështu, fëmijët ndiejnë sikur asgjë nuk kuptojnë nga gjërat përreth tyre dhe, meqë mosdija prodhon frikë, atëherë fëmijët me të gjitha forcat e tyre hidhen në sulm që të mësojnë. Siç mund të hasim fëmijën tre-vjeçar i cili iu drejtohet prindërve apo vëllezërve të tij të mëdhenj me dhjetëra e dhjetëra pyetje çdo ditë. Padyshim, përgjigjet e tyre do të ndikojnë tek ai, siç vihet në pah tek ai kalimi prej një gjendje në tjetrën, si dëshmi ai vazhdimisht ndryshon formën e pyetjes apo temës për të cilën interesohet.Shiko: “El Kavaid el ashër – ehem el kavaid fi terbijetil ebëna” të Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 33. Ti do t’i dëgjosh vazhdimisht nga fëmija pyetjet: Çfarë? Ku e ka vendin? Si ndodhi? Nga arriti? Kush është ai? Kush është ajo? A e di…?, etj. Sinqerisht ai do të dijë çdo gjë që ia tërheq vëmendjen atij, ka ëndje t’i kuptojë gjërat të cilat i shikon apo i dëgjon, ndonëse mund t’i kuptoj përgjigjet, por edhe mund të mos i kuptojë ato. Ndodh që të dëgjojë mjaftueshëm sa t’i përgjigjesh, por ndodh edhe e kundërta.Shiko: “Te’sis aklijetil tifël” Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 16.

Fëmija, në të vërtetë, është një kureshtar i madh që e do zbulimin e gjërave. Kjo kureshtje e tij mund të rritet sipas ambientit në të cilin jeton, apo sipas hapësirës së dhënë atij. Këtë e vërejmë më së miri se si çuditemi me pyetjet e fëmijëve të kohës së sotme, kur i krahasojmë me pyetjet tona në vegjëli. E gjitha kjo si dallim i kohës, vendit dhe zhvillimeve bashkëkohore të njohurive. Padyshim, metodat e zgjedhura të edukatorëve për trajtimin e pyetjeve të fëmijës ndikojnë në vetë dukuritë e pyetjeve, në shtimin apo pakësimin e tyre. Rrjedhimisht edukatori që i jep hapësirën e duhur pyetjeve të fëmijëve dhe i pranon pyetjet e tyre me hare e gëzim, atëherë do ta ketë mundësinë të zhytet thellë në personalitetin e fëmijëve, në dallim nga ai që nuk i duron pyetjet e fëmijëve, i refuzon ato, apo i pranon me bërtitma e britma, atij nuk do t’i shfaqet asgjë nga fëmijët.Shiko: “El Es’iletul aka’idijeh andel atëfel ue ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 11. Gjithsesi, ne pajtohemi që jo çdo gjë i tregohet fëmijës, nuk është për të mirën e tij dhe as e pranueshme që fëmijët të njoftohen për gjithçka. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që fëmija të mos frikësohet që të pyesë për disa gjëra të cilat ndikojnë në jetën e tij. E rëndësishme është që fëmijët të mos ndiejnë mosprezencën e tyre, mungesën e vëmendjes së mjaftueshme apo që nuk janë të besueshëm. Ndërsa edhe më e rëndësishme është që fëmijët të ndiejnë zemërgjerësinë dhe bujarinë e prindërve, ndërkohë që flasin me ta.Shiko: “El Kavaid el ashër – ehem el kavaid fi terbijetil ebëna” të Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 36.

Arsyet e pyetjeve të shumta të fëmijëve

Arsyet më të rëndësishme që e shtyjnë fëmijën t’i parashtrojë pyetjet e shumta janë siç vijojnë:

  1. Dëshira e flaktë e fëmijës për të zbuluar dhe hulumtuar, si mjet i ngopjes së kërkesave të zhvillimit mendor.
  2. Nevoja e fëmijës që t’i kuptojë të gjitha gjërat të cilat e rrethojnë sipërfaqësisht.
  3. Paniku dhe frika e fëmijës karshi gjërave për shkak të mos përvojës së tij me to; p.sh.: fëmija frikësohet nga disa kafshë, edhe nëse nuk e sulmojnë ato, kësisoj ai pyet shumë që të ndihet i sigurt.
  4. Zhvillimi i aftësive gjuhësore te fëmijët, kështu kur shtron ndonjë pyetje, e pason atë me një pyetje tjetër, ndonëse jo nga dëshira për përgjigje se sa nga dëshira që ta praktikojë gjuhën, të krenohet me aftësitë e tij dhe nevoja e tij për të qenë pjesë e shoqërisë.
  5. Hapësira e komunikimit dhe pjesëmarrja emocionale në mes të prindërve dhe fëmijëve.
  6. Zhvillimi i guximit të fëmijës dhe besimit të tij në prindërit dhe respektimi i vetvetes.

Natyra e pyetjeve te fëmijët

Që ta kuptojmë natyrshmërinë e pyetjeve të fëmijës në mënyrë sa më të mirë, duhet doemos të bëjmë dallimin në mes pyetjeve logjike a gjuhësore dhe atyre psikike. Lloji i parë ka të bëjë me përpjekjet e fëmijës që të njohë ndonjë gjë apo të rrëfejë për të. Shtytës i llojit të dytë të pyetjeve është kërkimi i prehjes shpirtërore dhe qetësisë; pra nuk është caku vetëm përgjigja. Kësisoj patjetër duhet të qartësojmë një të vërtetë esenciale: pyetja sigurisht ka anën e saj dëftuese. Me fjalë të tjera: ne nuk arrijmë ta kuptojmë rëndësinë e pyetjes, apo ta kuptojmë, apo kufizojmë qëllimin e saj vetëm se përmes ndodhisë së caktuar që e ka shpënë fëmijën që të pyesë. Pra, pyetja, në vetvete, nuk ka ndonjë peshë të madhe, por ajo e merr vlerën, peshën, fuqinë dhe rëndësinë e saj si pasojë e natyrës së ndodhisë apo gjendjes përreth saj. Pyetjet, në të vërtetë, kanë tri funksione të rëndësishme, nga ana e të cilave formohen:

  1. Arritja e baraspeshës shpirtërore te fëmija; kështu që shumica e pyetjeve të fëmijës kanë pikënisjen psikike.
  2. Mendësia hulumtuese; kështu që fëmija përpiqet të arrije te njohuritë e reja duke i ndërtuar ato mbi njohuritë e vjetra apo duke i lidhur mes tyre.
  3. Njohja e ambientit që e rrethon dhe e çështjeve të rëndësishme të jetës; prej tyre: njohja me vlerat e moralit dhe sjelljeve, të cilat ngjajnë brenda ambientit kulturor dhe shoqëror në të cilën jeton fëmija.Shiko: “Es’iletil tifël ue alekatuhe bitenmijetil kudurat el akëlijeh ue afakuhe indet tifël” Husejn Sebehij, ueb-faqja: alukah.net (1.12.1432 hixhrij).

Llojet e pyetjeve te fëmijët

Është mjaft e rëndësishme që të kategorizohen pyetjet që parashtrojnë fëmijët. Kësisoj përgjigjet do të varen në bazë të llojit të pyetjeve. Pyetjet e fëmijëve mund t’i kategorizojmë në këtë mënyrë:

  1. Pyetjet të cilat kanë natyrë gjuhësore, ngjashëm me: Pse janë emërtuar gjërat me këta emra? Pse të mos ua ndërrojmë emërtimet? Pse të mos e zbulojmë një gjuhë tjetër të re?
  2. Pyetje të lidhura me ekzistencën, ku në këtë frymë vijnë pyetjet e ngjashme si: Prej nga kemi ardhur? Ku do të shkojmë? Prej nga vijnë fëmijët? Çfarë do të thotë vdekja? Po gjithësia çfarë është?… etj.
  3. Pyetje rebelimi, të cilat fokusohen sipas idesë: Pse nuk u lejohen fëmijëve çështjet që u lejohen të të rriturve? Këto pyetje vijnë më shumë si përpjekje e fëmijëve të ngjasojnë me të rriturit se sa që u ngjasojnë formës së pyetjeve në të vertetë.
  4. Pyetje provokuese, janë ato të cilat fëmijët i sprovojnë aftësitë e anëtarëve të familjes duke i kundërshtuar më pas pikat e dobëta të cilat i hasin te ta. Në shumicën e rasteve janë përzierje e krahasimeve mes familjes dhe familjeve të shoqërisë së tij, që zakonisht sillen rreth vatrës së mundësive ekonomike dhe fizike të familjes.
  5. Pyetje të shqetësimeve fëmijërore, shpesh herë fëmijët i parashtrojnë këto lloje pyetjesh në kompensim të ndjenjave shqetësuese që gjenden tek ata, me ç’rast nga pyetjet me të shpeshta që i mundojnë fëmijët janë pyetjet përreth mungesës së ndonjërit prej prindërve, apo dukuri tjera të braktisjeve.
  6. Pyetjet hulumtuese përreth fizionomisë trupore, ku në fillim të këtyre pyetjeve hulumtuese të shtruara nga fëmija prijnë pyetjet që kanë të bëjnë me dallimet e fizionomisë trupore në mes të dy gjinive.

Nga ky kategorizim i pyetjeve mund të ndihmohen prindërit apo edukatorët që t’i kuptojnë prapavijën e pyetjeve të shtruara nga fëmijët e tyre; pra ngaqë fëmijët nuk pyesin vetëm se për ndonjë arsye të cilën mundohen ta kuptojnë.Es’iletul atëfel el muhrexheh ue kejfijetil ixhebeh alejhe”, Dr. Mustafe Ebu Sa’d nga faqja e tij në facebook me datë (23.5.2014)

Pse ndodh që prindërit mos t’i përfillin pyetjet e fëmijëve?Në të vërtetë mospërfillja e pyetjeve të fëmijëve nga ana e prindërve apo mërzitja prej tyre nuk është vetëm për arsye të mos njohurive që t’iu përgjigjen atyre, e as si pasojë e mosnjohjes së rëndësisë shpirtërore dhe edukative tek ata, por për arsye të tjera, siç do të mundohemi t’i përmendim në vijim më të rëndësishmet prej tyre:

  1. Habia e të rriturit me llojin e pyetjes së të voglit, apo me mendjelehtësinë e tij, apo mos seriozitetin e tij. Kjo e bën të madhin të mos interesohet shumë dhe të mos i kushtojë vëmendje të voglit. Rrjedhimisht i rrituri bie pre e nëpërkëmbjes së të drejtave të të vegjëlve në mënyrën e veçantë të të menduarit të tyre, i cili veçohet me thjeshtësi e qartësi. Dhe kjo nëpërkëmbje manifestohet si dukuri e fuqisë se zgjuarsisë së të mëdhenjve, duke harruar që fëmija bën pyetje të thjeshta, të padjallëzuara i shtyrë nga kureshtja e çiltër për njohuri, apo që të zbulojë botën përreth tij, e le më qëllimin shpirtëror të nxituar të pyetjes së tij me anë të së cilës kërkon të gjejë balancimin shpirtëror të humbur nga ndonjë ndodhi e caktuar.
  2. Perceptimi i të rriturve të vështirësive të pyetjes së shtruar nga fëmija, sidomos atëherë kur pyetja është e lidhur me ndonjë anë të ndalesave shoqërore apo është e lidhur me ndalesat morale, brenda një rrethi të caktuar kulturor. Në këtë rast nuk lejohet të diskutohen këto pyetje vetëm se në një moshë të caktuar, e kështu vështirësitë e pyetjeve të fëmijëve dhe ngjyrimi i tyre me siklet i shpie të rriturit në huti. Prandaj të rriturit duhet të përgatiten shumë mirë për t’iu dhënë përgjigje të shëndoshë fëmijëve në pyetjet e tyre.
  3. Ndonjëherë pyetjet e shumta të fëmijëve formohen njëra pas tjetrës si ndonjë shkak i mospërfilljes së të mëdhenjve. Por, sikurse të mëdhenjtë ta kuptonin rëndësinë e pyetjeve të fëmijëve nga ana shpirtërore, atëherë sigurisht do të mbanin qëndrim tjetër karshi tyre, do t’i nxisnin fëmijët e tyre që të vazhdojnë të pyesin, që pothuajse mendimet e tyre të jenë të dëgjueshme.
  4. Nga shkaqet që i bëjnë prindërit të mos u kushtojnë vëmendjen e duhur disa pyetjeve të fëmijëve është se ato shtrohen nganjëherë në formë përmbajtjesore dhe jo të drejtpërdrejtë.
  5. Ndodh të jetë shmangia e prindërve nga pyetjet e fëmijëve si pasojë e mos njohurive të tyre për atë çfarë fëmija dëshiron të njohë. Kësisoj u themi prindërve që e keni për detyrë të kërkoni përgjigje për pyetjet e fëmijëve tuaj dhe t’i njoftoni ata me besnikëri dhe vërtetësi.Shiko: “Es’iletil tifël ue alekatuhe bitenmijetil kudurat el akëlijeh ue afakuhe indet tifël” Husejn Sebehij, ueb-faqja: alukah.net (1.12.1432 hixhrij).
  6. Lënia pas dore e pyetjeve të fëmijëve, si pasojë e kufizimit të aftësive të të kuptuarit të tyre, të cilat kërkojnë përgjigje shumë të thjeshtësuara që vështirë arrihen. Në këtë rast prindërit fillojnë të mendojnë se si t’ia përçojnë fëmijës përgjigjen e më pas e lenë pas dore pyetjen e tij.Es’iletul atëfel el muhrexheh ue kejfijetil ixhebeh alejhe”, Dr. Mustafe Ebu Sa’d nga faqja e tij në facebook me datë (23.5.2014)

Si duhet të sillen prindërit karshi pyetjeve të fëmijës?Detyra e prindërve është paraqitja e përgjigjeve të vërteta të sakta ndaj pyetjeve të fëmijëve. Shtuar kësaj, ata duhet të bëjnë gati terrenin e dialogut dhe bisedës rreth paqartësive të fëmijëve të tyre në tematikat e besimit, gjithashtu të ndihmuarit e tyre që t’i vënë në dukje mendimet e tyre rreth fesë. Kjo për shkak që të përçojnë tek ata sigurinë, prehjen dhe të kuptuarit e drejtë të fesë, me ç’rast e ruajnë balancën e tyre fetare larg lënies pas dore në njërën anë dhe teprimit të shtrëngimit të fesë në anën tjetër.“Ilmu nefs el merahil el umurijeh” Omer el Mefda (f. 432) Nuk do të thotë që prindërit t’i kenë të gjitha përgjigjet e sakta për pyetjet fetare të fëmijëve të tyre, mirëpo atyre u përket t’ua sqarojnë shtyllat e besimit, derisa të rritet e bëhet djalosh/vajzë me besim të fortë në Allahun e Madhëruar.“Kejfe tekuluhe li atëfelik” Paul Colman (f. 155); shiko: “Akidetut tifël el muslm”, Hejam Mahmud, f. 56.

Sa bukur do të ishte sikur prindërit ta angazhonin fëmijën më të madh të tyre që t’i regjistrojë pyetjet e fëmijëve të vegjël. Zakonisht do ta marrë këtë detyrë me gëzim, sidomos nëse inkurajohet dhe e ndjen rëndësinë e saj. Gjithashtu, edhe prindërit do të gjenin kënaqësi në këtë aktivitet. Pra, nga njëra anë do të mbjellim në personalitetin e fëmijës së madh rëndësinë e pyetjeve në përgjithësi dhe peshës së tyre dhe kështu ata do të pyesin pa ngurrim, dhe do të gdhendim në ta kujdesin ndaj pyetjeve të fëmijëve të tyre në të ardhmen, atëherë kur vetë të bëhen prindër. Ndërsa në anën tjetër neve na mblidhen pyetje të cilat na hyjnë në ndihmë për kërkimin e përgjigjeve ndaj tyre dhe na ndihmojnë për pyetjet e mundshme që mund t’i bëjnë vëllezërit apo motrat pas tyre, e kështu duhet përgatitur për to. Sa do të gëzohet fëmija kur shpejtojmë t’i përgjigjemi në ndonjë pyetje prej pyetjeve të tij të kaluara! Pra, kujdesi për një përgjigje bindëse të mirë për pyetjet e tij do të ketë ndikim të madh, me lejen e Allahut, tek ai dhe në lidhjen tonë me të. Kësisoj do të bëhen prindërit burimi kryesor i njohurive për fëmijën, burim i sigurt për vitet e ardhshme në vend që t’i marrë njohuritë nga burime të dyshimta, sidomos përgjatë moshës së adoleshencës.Shiko: “Tifluke fir rabi’ah uen nisf” Hanij el Abdulkadir, almoslim.net (1.10.1428 hixhrij).

Vlen të ceket një pikë ndaj së cilës është e udhës që prindërit të tregojnë kujdes, e ajo është domosdoshmëria e dallimit të pyetjeve të fëmijëve.
Së pari, pyetjet këmbëngulëse të cilat i vërejmë që fëmija po i përsërit shpesh ato, aq sa mund t’ua parashtrojë më shumë se një personi prej anëtarëve të familjes, ku prej saj mund të lindin edhe pyetje të tjera.
Së dyti, pyetjet e atypëratyshme, ku sikur t’ia ndërrojmë temën fëmijës përgjatë bisedës do ta harrojë atë pyetje. Prandaj, në llojin e pyetjeve të para nuk është nga mençuria të lihen pas dore, kësisoj përpiqemi në përgjigjen ndaj tyre, duke e kërkuar përgjigjen e saj apo gjurmimin e ndonjë personi i cili e zotëron atë përgjigje më mirë. Ndërsa lloji i pyetjeve të atypëratyshme, nuk ka problem edhe sikur të shmangen, sidomos kur kanë të bëjnë me çështje që fëmija nuk i kap dot.

Parimet e trajtimit të pyetjeve të fëmijëve

Përgjatë përgjigjeve të pyetjeve të fëmijëve prindërit duhet t’i kenë parasysh disa parime dhe vlera që duhet kujdesur për to, siç do i cekim disa në vijim:

  1. Parimi i respektit. Prindërit të cilët i dëgjojnë me vëmendje pyetjet e fëmijës e bëjnë atë të ndihet se prindërit e tij po i qajnë hallet e tij, po e respektojnë dhe e vlerësojnë atë. Ky bashkëpunim i prindërve me fëmijën e bën atë të ruaj balancën shpirtërore dhe prehjen e qetësinë, si rrjedhojë shumë shpejt bie në sy zëri i tij i vetëbesimit, qartësia në shtrimin e pyetjeve dhe përcjellja logjike përgjatë bisedës.
  2. Parimi i besimit dhe besnikërisë. Prindërit e gjurmojnë precizitetin në përgjigjet e dhëna fëmijëve të tyre duke i zgjedhur shprehjet e duhura gjuhësore, të njohura dhe të zakonshme për ta; gjithnjë duke i thjeshtëzuar këto njohuri nën korniza të diturive të sakta. Vërtetësia e përgjigjes në, fund të fundit, do të thotë arritja e qëndrueshmërisë, besimit dhe sigurisë shpirtërore.
  3. Parimi i trajtimit të shtytësve të veçantë te fëmijët. Këta shtytës lindin si pasojë e kontekstit të ndodhive në të cilat jeton fëmija. Të marrim shembull, fëmija i cili ndihet i shqetësuar dhe i irrituar si pasojë e foshnjës së re në familje, do të pyesë: prej nga vijnë fëmijët? Atëherë, edhe nëse do të pranojë një përgjigje shkencore nuk do të pushojnë shqetësimet e tij. Ai ka nevojë që t’i trajtohet zanafilla e problemit të tij të vërtetë që e shtyu të shtronte atë pyetje, pra ai ka nevojë për kujdes të posaçëm dhe t’i kushtohet vëmendje e mjaftueshme.Shiko: “Es’iletil tifël ue alekatuhe bitenmijetil kudurat el akëlijeh ue afakuhe indet tifël” Husejn Sebehij, ueb-faqja: alukah.net (1.12.1432 hixhrij).

Gjëja më e vlefshme që arrijnë prindërit t’u japin fëmijëve të tyre është ndihmesa për ndriçimin e mendjeve të tyre. Jo vetëm përmes tregimeve, rrëfimeve dhe urtësive, por më tepër përmes ushtrimit të tyre që të mendojnë, të japin propozime e sugjerime. T’i mësojnë që të mos mjaftohen me gjërat sipërfaqësore, t’i nxisin që të meditojnë çfarë fshihet pas gjërave sipërfaqësore që u duken atyre. Shiko: “Te’sis aklijetil tifël” Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 78. Gjithashtu, bashkëveprimi duhet të jetë pozitiv, biseda ndërtuese, dialogu i qetë dhe shkëmbim të mendimeve nga të dy palët.“Bernamixh mukterah litedrib mualimat er rovdah ala ixhebeh et teseulat el ilmijeh el muhrixheh ledel atëfel”, Prof. Dr. Mehir Saberij, f. 7. Shtuar kësaj prindërit duhet t’i iniciojnë pyetjet që u ngacmojnë mendjet fëmijëve.

Përveç kësaj përgjigjet ndaj pyetjeve mund të kërkohen nga një masë më e gjerë; p.sh.: prindërit të kërkojnë nga fëmija i tyre duke i sugjeruar atij që ta parashtrojë pyetjen e tij në mbledhjet familjare, e më pas t’i lihet hapësira secilit anëtar të familjes që të përgjigje, sidomos kur pyetja të jetë e thjeshtë jo e ndejshme, që nuk ka nevojë shumë për thellësi. Mirëpo, është shumë e rëndësishme që fëmija të mos tronditet nga përqeshjet e anëtarëve të mëdhenj të familjes me pyetjen e tij qesharake në sytë e tyre. E nëse ngjan kjo atëherë prindërit duhet t’i dalin zot atij, t’ia mbajnë krahun atij duke e lavdëruar dhe duke i dhënë kurajë. Pastaj duke e sqaruar nevojën e të gjithëve që të parashtrojmë pyetje, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ndërsa juve nuk ju është dhënë veçse pak dijeni.” (Kuran, 17:85). Në përgjigjet grupore arrijmë përmbushjen e shumë dobive të cilat si pikënisje e tyre janë pyetjet e fëmijës.

Edukimi përmes bisedës

Metoda më e përshtatshme për fëmijët është përmes bisedës së ndërtuar në formën e dialogut pyetje dhe përgjigje, pasi i ndihmon fëmijës në zgjidhjen e gjuhës së tij dhe ndërton tek ai aftësitë e të mësuarit. Biseda është ajo që i përafron çështjet dhe arrihen përmes saj qëllimet,“Mukidemeh” e Ibn Haldunit, f. 545. (libri është i botuar në gjuhën shqipe nga sh.b. “Fjala e Bukur”). prandaj duhet patjetër që fëmija përgjatë bisedimit të respektohet, gjegjësisht kjo shpien që fëmija të lirohet nga emocionet e tij siç janë: stresi, frika dhe konfliktet e brendshme shpirtërore. Kur fëmija të ndihet rehat shpirtërisht përgjatë bisedës e dialogut, ai do të nxjerrë çdo gjë që e mundon dhe e lodh e që fshihet në brendësinë e tij. Kur dy palët të arrijnë t’i kufizojnë arsyet e problemit, duke biseduar sinqerisht, edhe fëmija shpalos çdo gjë që përmban në veten e tij, e, atëherë zgjidhja është e lehtë dhe suksesi i arritshëm.“Kejfe uxhib ala es’ileti tifëli ue uhaviruhu” Dr. Selva Murteda, f. 21-22. Biseda në mes fëmijës dhe prindërve sjell dobi të mëdha për familjen, siç mund t’i theksojmë:
– Njoftimi. Fëmija do të jetë më i afërt ndaj anëtarëve të tjerë të familjes.
– Shoqërimi. Biseda mes anëtarëve të familjes ua forcon shoqërinë, do të duhen më shumë dhe do të jenë më të afërt për njëri-tjetrin.
– Dashamirësia. Ne nuk duam nga biseda që të ketë një frymë zyrtare të komunikimit, por kërkojmë një bisedë me plot kuptimin e fjalës së saj, me fjalë të ëmbla e dashamirësie mes njëri-tjetrit.

Nga ajo që u cek më sipër përfitojmë që edukimi përmes bisedës është proces që karakterizohet me disa gjëra, siç janë:

  1. Fëmijës i dhurohet liria në mendime dhe të zbuluarit e gjërave vetvetiu, kurse kjo ia nxit atij kreativitetin dhe ia zhvillon personalitetin.
  2. Është e lehtë dhe nuk kërkon mund të madh, kur fëmija bashkëvepron me qejf duke mos u turpëruar.
  3. Fëmijës i fut gëzimin dhe ndjehet që është prezent dhe i mëson artin e dëgjimit të të tjerëve.
  4. I jep fëmijës mundësitë për kërkim dhe mendim të pavarur, e kështu i sheh gjërat nga një kënd tjetër dhe i mëson të arsyetuarit e logjikshëm.
  5. I ngjall fëmijës vigjilencën dhe e largon nga ai plogështinë dhe hutinë, e kështu e shtyn atë të jetë bashkëpjesëmarrës dhe aktiv.

Format e pyetjeve të një bisede

Gjenden shumë pyetje të cilat mund t’ua parashtrojmë fëmijëve, ndër to mund të theksojmë:

Çfarë po ndodh? Kjo formë e pyetjes e stimulon fëmijën të bëhet kureshtar se çfarë po ngjan përreth tij, gjegjësisht i ndihmon atij të përshkruajë atë çfarë shikon drejtpërdrejt.

Çfarë po kërkon? Kjo formë e pyetjes e ndihmon fëmijën t’i specifikojë me përpikëri kërkesat e tij.

Si po e bën këtë? Kjo formë e pyetjes e ndihmon fëmijën që të mendojë lirshëm dhe ia nxit atij imagjinatën në kërkim të përgjigjes.

Pse po ndodhë kjo? Kjo mënyrë e bën fëmijën t’i kapërcejë gjërat sipërfaqësore e kështu të mendojë për shkaqet e atyre ndodhive, me ç’rast fillon t’i analizojë dhe të kërkojë lidhshmërinë në mes të gjërave.

Çfarë do të bëjmë nëse do të ndodhë kjo? Kjo mënyrë e ndihmon atë që t’i formulojë mendimet dhe vështrimin e gjërave nga një kënd tjetër.

Këto ishin vetëm disa nga format e pyetjeve përgjatë një bisede me fëmijën, sigurisht format e pyetjeve janë të shumta, por veçoritë më të rëndësishme të pyetjeve të cilat janë frutdhënëse përgjatë edukimit me anë të bisedës me fëmijën, mund t’i cekim siç vijon:

Pyetjet të jenë sa më të shkurtra, sipas mundësive.

Të jenë të qarta dhe precize në një ide të caktuar

Të jenë të përshtatshme për moshën e fëmijës, kohën, vendin dhe ndodhive në të cilat po kalon ai.

Të mos jenë pyetjet që mund t’u përgjigjet me një fjalë saktë apo gabim, por të jenë të atilla që e vënë në lëvizje inteligjencën e fëmijës duke ia hapur horizontet e tij, t’i jepet hapësira që ta imagjinojë përgjigjen.

Mënyrat e përgjigjeve ndaj pyetjeve të fëmijëve

Nga ajo që cekëm më herët qartësuam disa nga format e pyetjeve, llojet e tyre e të ngjashme. Ndërsa këtu, do të flasim rreth përgjigjeve, me ç’rast ndryshojnë format e përgjigjeve ndaj pyetjeve të fëmijëve sipas kohës, vendit apo ndodhive ku është parashtruar pyetja. Nga format më të njohura të përgjigjeve mund të cekim siç vijon:

  1. Përgjigje të drejtpërdrejtë. Kjo formë e përgjigjes është nga më të shpeshtat, ku fëmija pyet dhe më pas prindërit i përgjigjen atij drejtpërdrejt. Në përgjithësi veçori e këtyre përgjigjeve është që janë të shkurtra dhe të shpejta.
  2. Përgjigjja përmes rrëfimit të ndonjë tregimi të shkurtër. Kjo metodë njihet si mënyrë e përgjigjes jo të drejtpërdrejtë, gjithsesi duhet të jetë rrëfimi i përshtatshëm për llojin e pyetjes së parashtruar. Zakonisht fëmijët i duan këto lloj përgjigjesh dhe i dëgjojnë me shumë dëshirë e kënaqësi.
  3. Përgjigje të ilustruara. Disa pyetje të cilat i bëjnë fëmijët ndodh që duhet t’iu përgjigjemi duke përdorur ilustrime të qartësuara; p.sh.: pyetjet shkencore për të cilat ilustrimet njihen si burim kryesor për njohjen e tyre, sidomos kur janë të ngjyrosura dhe tërheqëse.
  4. Përgjigjja përmes vrojtimit. Fëmija mund të bëjë ndonjë pyetje që përgjigjja e saj të jetë praktike përmes shoqërimit të tij te vendi i përgjigjes, me qëllim të vrojtimit të çështjeve praktikisht dhe nxjerrjes së përgjigjes. Sa për ilustrim, mund të jetë pyetja e fëmijës për kafshët: si jetojnë? Si ushqehen? Si shumohen? Etj.“Kejfe uxhib ala es’ileti tifëli ue uhaviruhu” Dr. Selva Murteda, f. 73-74.

Këshilla të përgjithshme që do duhet t’i marrim parasysh përgjatë përgjigjeve

  1. Kujdesu për përçimin e bindjes duke përdorur rrugën e diskutimit, pyetjes dhe kërkimit të informacioneve, e assesi të mbështetesh vetëm në formën e ligjërimit të përgjigjes. Pra, kur të përfundosh së sqaruari përgjigjen për fëmijën, kujdesu që ta vërtetosh arritjen e bindjes së fëmijës me përgjigjen tuaj në një nivel të kënaqshëm.
  2. Ji i sinqertë në përgjigjën tuaj ndaj fëmijës, kurrsesi mos gënje përgjatë përgjigjes në emër të ikjes nga një pozitë kinse e pa lakmueshme. Shtuar kësaj, kujdesu të mos i japësh fëmijës informata të gabuara – sido që të jenë arsyet -, përgjigjja e saktë dhe e kapshme është boshti i besimit të fëmijës tek ti.
  3. Mundohu aq sa të kesh mundësi ta thjeshtësosh përgjigjen tënde, që të kuptohet me lehtësi dhe t’i përshtatet mentalitetit të të voglit. Largohu sa të mundësh nga turbullirat që mund ta shpërqendrojnë mendjen e fëmijës. Gjithashtu, kujdesu që të mos i japësh fëmijës informata të cunguara, duke u arsyetuar që fëmija është ende i vogël dhe nuk ka aftësi të mjaftueshme për ta kuptuar drejt, sepse këto informata do të gdhenden në mendjen e fëmijës.“Kejfe turabi ebna’ek fi hedhe ez zeman”, Dr. Hasen Shemsi Basha, f. 122.
  4. Mos u sill me fëmijën sikurse të jetë ai një mendjelehtë, pasi ai e kupton fare mirë atë që do t’ia përçosh; vetëm përsose mënyrën. Bëj kujdes që përgjigjja jote të jetë shkurt e shqip pa i bërë bisht asaj, që fëmija të mos hyj në labirinte të jashtme që mund të përmbajë përgjigjja.
  5. Mos e dëno fëmijën tënd të vogël, mos e qorto e as mos e përqesh për pyetjen e tij, pa marrë parasysh rrethanat, përkundrazi bëje ta kuptojë që ju çdoherë jeni i gatshëm për të, që do t’i përgjigjeni atij në çdo pyetje.“Ibnij mukteshif – kejfe ea’inuhu ala ikteshefihi”, Mensur es Sinij, f. 33. Përqeshja e fëmijës e bën të ndihet i shpërfillur, të mos jetë guximtar dhe e privon atë nga ëndja e kureshtjes së hulumtuarit të gjërave.
  6. Mos u brengos nga pyetjet e fëmijës tuaj rreth Krijuesit dhe as nga paaftësia e tij e njohjes së ekzistencës së Tij. Mos i ik përgjigjes së fëmijës, pasi ikja jote mund ta shpjerë atë në kërkim të burimeve të njohurive në vende të tjera.
  7. Mos u zmbraps nga kërkimi i përgjigjes edhe në qoftë se duhet të zgjerohet kërkimi i saj, pasi të shfaqesh para fëmijës tënd si kërkues i njohurive është më mirë sesa të luash rolin e të dijshmit e në të vërtetë nuk e di. Nuk është e metë t’i thuash fëmijës, më prit pak ta kërkoj për ty përgjigjen e saktë.“Es’ileti tiflik el harexheh” Ebu el Mexhd Harek, f. 10.
  8. Pranoji pyetjet e fëmijëve me vëmendje, trego ndaj tyre interesim dhe mos i neglizho ato duke u treguar i shkujdesur. Rritja e fëmijës, përvetësimi dhe edukimi i tij psikik dhe realist e ndihmojnë shumë atë që ta pranojë shpjegimin tuaj të gjërave, ndonëse në fillim i kishte vështirë t’i kuptonte.“Hel tifëli mulhid”, përgatitur nga Komisioni i Thirrjes Elektronike për në Islam.
  9. Nëse me të vërtetë je i zënë, atëherë është e udhës që t’ia qartësosh që kjo kohë nuk është e përshtatshme që t’i përgjigjesh në pyetjet e tij. Por, tregohu i vëmendshëm që të jesh iniciator e t’i përgjigjesh atij menjëherë sapo të lirohesh.
  10. Evitoje çdo stërzgjatje të panevojshme të sqarimeve dhe detajeve të stërholluara, sepse përgjigjet për pyetjet e fëmijës gjashtë vjeçar duhet të jenë më të shkurtra se sa për atë dhjetë vjeçar; dhe kështu me radhë. Kjo sa i përket pyetjeve të cilat duan përgjigje të zgjeruar me argumente e prova, siç janë pyetjet për botën e fshehtë dhe pyetjet e ndjeshme. Ndërsa përgjigjja ndaj disa pyetjeve është e përcaktuar, e kështu u thuhet të gjithë fëmijëve pa dallim moshe.“Es’iletul atëfel el muhrexheh ue kejfijetil ixhebeh alejhe”, Dr. Mustafe Ebu Sa’d nga faqja e tij në facebook me datë (23.5.2014).
  11. Provo aq sa të kesh mundësi t’i lidhësh përgjigjet e pyetjeve me gjëra reale që i percepton fëmija. Dhe në anën tjetër largohu nga gjëra abstrakte të cilat vështirë që i kupton fëmija në këtë moshë. Sipas mundësive, gjithnjë mundohu t’i mbështetësh përgjigjet e tuaja me argumente e prova që t’i përforcohen informatat fëmijës; pra, përgjigjet të jenë të logjikshme.“Kejfe uxhib ala es’ileti tifëli ue uhaviruhu” Dr. Selva Murteda, f. 73.
  12. Rënia dakord e prindërve në dhënien e njohurive ndaj fëmijës. Nuk duhet që të ketë kundërthënie të mendimeve në mes prindërve kur t’ia shfaqin informatat fëmijës.
  13. Të mos kthehet përgjigjja ndaj pyetjeve të fëmijës me një pyetje tjetër. Me fjalë të tjera, sikur t’i drejtohet prindi fëmijës së tij: “Për çfarë e ke fjalën? Ku e ke qëllimin?” Këtu fëmija ndihet i thyer, sepse nuk ka arritur t’ia përcjellë pyetjen prindit. Fëmija beson që prindërit duhet ta kuptojnë atë pa pasur nevojë ai për shpjegim a shtjellim të fjalëve të tij. Ndërsa nëse ndonjëri prej prindërve do të verifikojë qëllimin e pyetjes së fëmijës së tij, atëherë më mirë është të përdorë këtë lloj të shprehjes: “E ke për qëllim këtë apo jo?”
  14. Prindërit të mos tregojnë qëndrim prej tirani me mendimet e tyre kur i përgjigjen ndonjë pyetjeje të caktuar të fëmijës, atëherë kur fëmija të merr njohuritë nga ndonjë burim tjetër informatash, por nga një rrugë tjetër ndryshe prej asaj të prindërve. Kështu që prindërit duhet të bindin fëmijën për përgjigjen e saktë me metodikë të lehtë, të thjeshtësuar me qëllim që t’ia përfitojnë besimin e tij, e jo të ndodhë e kundërta.“El-murebun ue teseulat el atëfel” të Nevel el-Halifeh, f. 126-130.
  15. Përpiqu të jetë përgjigjja në formë të bashkëbisedës dhe jo të ligjëratës. Shto sa më shumë përdorimin e tregimeve, shembujve dhe përdorimit të enciklopedive shkencorë të ilustruara, me qëllim të zbërthimit të njohurive dhe përçimit të tyre në mendjen e fëmijës. Gjithashtu, përdori: lojërat fizike, aktrimin, vizatimin, mendimin, këndimin, shkëmbimin e ideve, lojërat e ndryshme logjike, ilustrimet, prerjet e figurave dhe ngjitjen e tyre, e të tjera të ngjashme. Llojllojshmëria e ndërton dhe zhvillon zgjuarsinë e fëmijës dhe ia gdhend atij njohuritë.
  16. Disa lloje të pyetjeve nuk u përgjigjet menjëherë, porse përgjigjja ndahet pjesëza-pjesëza, në mënyrë të përshkallëzuar, nëse fëmija kërkon më shumë sqarime, atëherë i shtohet sqarimi sipas moshës, llojit të pyetjes dhe aftësisë së tij të të kuptuarit.“Es’iletil atëfel el muhrexheh” Aishe el Hakemij, alukah.net (17.1.1434 hixhrij).
  17. Atëherë kur fëmija pothuajse arrin pjekurinë, është e pëlqyer që kur të parashtrojë ndonjë pyetje, t’i kërkohet së pari atij mendimi; pra, të njëjtën pyetje ia parashtrojmë atij. Kështu e kuptojmë se si do të reagojë ai ndaj saj, rrjedhimisht e ndërtojmë përgjigjen tonë për të sipas reagimit të tij. Duhet të ndalemi së kërkuari që fëmijët të mendojnë sipas mendjeve tona, pasi kjo e shpie fëmijën në një kornizë së cilës nuk i përket. Shiko: “el Kavaid el ashër – ehem el kavaid fi terbijetil ebëna” të Dr. Abdulkerim el Bekar, f. 35; shiko edhe: “El Ishkalije el Mu’asirah fi terbijetit tifël el muslim” Said Abduadhim, f. 59.

Gabimet edukative përgjatë përgjigjes

Nga gabimet më të shpeshta edukative të cilat i bëjmë kur iu përgjigjemi fëmijëve tanë, janë si vijojnë:

– Mospërfillja e anëve të ndryshme të edukimit, si: anën e besimit, anën e moralit dhe anën e diturisë.
– Mbivlerësimi i njërës anë dhe lënia pas dore të tjetrës, apo mosbalancimi mes tyre.
– Mos përshkallëzimi përgjatë edukimit, shtuar kësaj kritikat e mëdha, qortimi i tepërt dhe vënia në pah e të metave.
– Dëshira jonë që t’u binden fjalëve tona pa diskutuar.
– Moskëshillimi me specialistët e fushës në fjalë, me njerëzit me përvojë, nxitimi dhe dobësia e përcjelljes.
– Ngurtësimi përgjatë edukatës dhe udhëzimit, kundërthënia në mes fjalëve dhe veprave tona, porositë tona negative të pashpresa. Të gjitha këto janë gabime të cilat ndikojnë në ndërtimin e mirëfilltë edukativ rreth besimit te fëmijët.

Back to top button