Pyetjet me besimin në engjëjt

Pyetjet që kanë të bëjnë me besimin në engjëjtqë kanë të bëjnë me besimin në engjëjt

Kush janë engjëjt? Ç’formë kanë ata?

Engjëjt janë krijesa prej krijesave të Allahut të krijuar nga drita. Allahu i ka krijuar ata para se t’i krijojë njerëzit. Ata kanë dëshirë, mendje dhe krahë. Pamja e krijimit të tyre është e bukur. Ata kanë aftësinë e shndërrimit në formën e njerëzve, as nuk hanë, as nuk pinë. Janë robër të Allahut, të cilët bëjnë çdo gjë që urdhërohen. Ndahen në shkallë-shkallë, sipas vlerës të cilën e kanë. Më i miri prej tyre është Xhibrili (alejhis-selam), i cili është i autorizuar për bartjen e shpalljes te profetët (alejhimus-selam). Pastaj vijnë Mikaili, Israfili e të tjerë. Prej tyre janë edhe Ruajtësit, të cilit janë të urdhëruar t’i ruajnë robërit në çdo kohë. Numri i tyre është shumë i madh dhe secili prej tyre është i ngarkuar me ndonjë detyrë të veçantë për ta zbatuar.Shiko: “Alemul melaiketih el ebrar” Omer el Eshkar, f. 9, 12, 15, 16.

Si i kanë emrat engjëjt?

Numri i engjëjve është tejet i madh, nuk e di numrin e tyre askush pos Allahut të Madhëruar. Nga emrat e tyre njohim: Xhibrilin, Mikailin, Israfilin, Riduanin, Malikun (alejhimus-saletu ues-selam). Më pas gjenden: Mbajtësit e Arshit, Ruajtësit të cilët i regjistrojnë veprat, e shumë të tjerë.Shiko: “Alemul melaiketih el ebrar” Omer el Eshkar, f. 16.

Pse i ka krijuar Allahu ata?

Allahu i ka krijuar ata që të bëjnë mirë, janë tërë mirësi, nuk bëjnë keq, madje as që dinë të bëjnë keq. Engjëjt, në esencë, ndodheshin në qiell, por zbritja e njeriut në Tokë, i obligoi edhe ata të zbresin në Tokë, për t’i përmbushur detyrat e caktuara që ua ka obliguar Allahu; siç janë: ruajtja, kujdesi, mbikëqyrja, bartja, ndihma, kërkimi i faljes, marrjes pjesë në vendet e përmendjes së Allahut dhe detyra të tjera. Mund t’i thuhet fëmijës se engjëjt i kanë dy detyra kryesore, të cilat janë: adhurimi i Allahut të Lartësuar dhe udhëheqja e përkujdesja për çështjet e kozmosit.

Pse ne nuk i shikojmë engjëjt?

Njerëzit nuk kanë aftësi që t’i shohin engjëjt në formën e tyre të vërtetë në të cilën i ka krijuar Allahu. Kësisoj, engjëjt shndërrohen në formë të njeriut, me qëllim që të arrijë njeriu t’i shikojë dhe të bashkëveprojë me ta. Përmendim këtu Xhibrilin (alejhis-selam) që u shndërrua në formën e beduinit siç na përcillet në hadithin e njohur si hadithi i Xhibrilit që erdhi të na i mësojë çështjet e fesë.Shiko: “Hakikatul melaikeh” Ahmed en Nexhar, f. 54.

Xhindet kush janë?

Xhindet janë krijesa prej krijesave të Allahut, të cilët janë krijuar nga zjarri, janë të ngarkuar që t’i binden Allahut në urdhëresat e Tij dhe të largohen nga të ndaluarat. Janë krijesa të cilat do të vdesin siç vdesin të gjitha krijesat e tjera. Nuk kemi mundësi dhe aftësi që t’i shohim ata. Allahu i ka krijuar ata me aftësi të cilat dallojnë nga aftësitë e njeriut. Ata, p.sh.: kanë mundësi të fluturojnë, kanë mundësi të lëvizin me shpejtësi dhe kanë aftësi të shndërrohen në forma të ndryshme.Shiko: “Alemul xhin uesh shejatin” Omer el Eshkar, f. 11, 12, 22. Gjithashtu, dallon esenca nga ç’janë krijuar njerëzit prej xhindeve. Njeriu është krijuar nga dheu, xhindet janë të krijuar nga zjarri.

Kush janë më të fortë, engjëjt apo xhindet?

Krijimi i engjëjve është i vazhdueshëm, nuk vdesin derisa të ndodhë Kiameti, kurse xhindet vdesin më herët. Pasi qenka kështu, atëherë engjëlli i vdekjes është ai që do t’i marrë shpirtrat, me lejen e Allahut, derisa të vdesë edhe ai. “Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes.” (Kuran, 39:42). Kësisoj, na bëhet e qartë se engjëjt nga kjo anë janë më të fortë. Madje edhe në jetën e kësaj bote, shejtanët (nga xhindet) u frikësohen engjëjve, mu siç ndodhi në betejën e Bedrit kur shejtani i pa engjëjt të cilët i dërgoi Allahu ndihmë për besimtarët, iu tha jobesimtarëve: “Djalli ua zbukuroi atyre veprat e këqija dhe u tha: ‘Askush në botë nuk do t’ju mund sot dhe unë jam mbrojtësi juaj.’ Mirëpo, kur u ndeshën dy ushtritë (me engjëjt përkrah besimtarëve), ai u kthye nga thembrat e tij dhe u tha (jobesimtarëve):‘Unë nuk kam të bëj me ju; unë shoh atë që ju nuk e shihni dhe i frikësohem Allahut, sepse Allahu ndëshkon ashpër’.” (Kuran, 8:48).

A vdesin engjëjt?

Po, engjëjt janë krijesa nga krijesat e Allahut. Kështu që, çdo gjë do të vdesë përveç Allahut të Lartësuar, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!Shiko: “Alemul melaiketih el ebrar” Omer el Eshkar, f. 9; shiko dhe: “Hakikatul melaikeh” Ahmed en Nexhar, f. 54. Thotë Allahu i Lartësuar: “Çdo gjë do të shkatërrohet, përveç Fytyrës (Qenies) së Tij!” (Kuran, 28:88). Kësisoj, të gjithë banorët e Tokës dhe banorët e qiellit do të vdesin, aq sa nuk do të mbesë askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar, i Cili është i Gjalli, i Përjetshëm që nuk vdes kurrë.

Back to top button