Pyetjet me besimin në libra
Pyetjet që kanë të bëjnë me besimin në libra
Ç’janë librat qiellorë?
Librat qiellorë janë ata të cilët Allahu i ka zbritur te të Dërguarit e Tij (alejhimus-salatu ues-selam), që t’i përcjellin porositë e Shpalljes dhe të zbatimit të ligjeve të Tij. Ata janë udhëzim dhe mëshirë për krijesat, që të jenë të lumtur në këtë botë dhe në botën e ardhshme. Nga ata libra jemi njoftuar që Allahu ua ka zbritur fletushkat Ibrahimit (alejhis-selam), Davudit (alejhis-selam) Zeburin, Musës (alejhis-selam) Teuratin, Isës (alejhis-selam) Inxhilin dhe të Dërgurit tonë, Muhamedit Kuranin.Shiko: “El Iman bil kutub” Dr. Muhamed el Hamed, f. 4-5.
Pse ne kemi nevojë për Kuranin? Pse Kurani është shenjë mrekullie e përhershme?
Nëse ndonjë pajisje e thjeshtë e cila, tek e fundit, është prodhuar nga njerëzit ka nevojë për libra udhëzues, doracakë orientues se si të përdoret në mënyrën më të mirë, atëherë vallë, njeriu që është krijesë e Allahut, a nuk është më parësore që të ketë nevojë për libër udhëzues dhe orientues që t’ia tregojë atij rrugën e shpëtimit, suksesit dhe përmirësimit në këtë botë dhe botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!” (Kuran, 67:14).
Ndërsa të qenët e Kuranit shenjë mrekullie e përhershme është ngase Profeti Muhamed është vula e profetësisë. Kështu që, patjetër duhej që të jetë mrekullia e tij e vazhdueshme, si pasojë se nuk ka më profet pas tij. Do duhej që të mbeste dëshmi sfiduese për krijesat deri në Ditën e Kiametit. Ndërsa provat e mrekullisë së Kuranit janë tejet të shumta. Nga më të rëndësishmet mund të theksojmë: mrekullia gjuhësore dhe retorike, ku përmes së cilës Allahu i sfidoi arabët, të cilët ishin prijatarët e gjuhës së kulluar dhe retorikës së mahnitshme. Ndërsa njerëzit dhe xhindet ishin të paaftë të sjellin diçka të ngjashëm me këtë Kuran madhështor, e këtu kemi prova për burimin hyjnor të Kuranit.
Pse Allahu nuk e mori përsipër që t’i ruajë librat e tjerë të mëhershëm?
Duhet ta dimë që Allahu i Lartësuar bën çfarë të dojë, Ai ka urtësi, nga e cila diçka dimë e diçka jo. Disa shenja të qarta tregojnë se librat e mëhershëm nuk ishin mrekullitë kryerore te profetët e kaluar, kësisoj vazhdimësia e tyre nuk ishte e kërkuar, shtuar kësaj që edhe ligjshmëria e tyre ishte e kufizuar në kohë dhe për njerëz të caktuar.Shiko dhe: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 105.
Cilat janë provat që vërtetojnë se nga Kurani nuk ka ndryshuar asgjë?
Kjo pyetje zakonisht nuk shtrohet vetëm se nga fëmijët të cilët janë në ciklin e lartë fillor e më tej. Kështu që duhet t’u sqarohet me qetësi dhe nga një pikënisje logjike, e cila ia vërteton atij saktësinë e Kuranit. I themi atij se gjërat kur përsëriten miratohen dhe kur përhapen atëherë vërtetohen. Kurani është përcjellë tek ne në atë formë që është e pamundur ta kapë ndonjë shtrembërim, pasi është përcjellë nga një grup njerëzish te një grup tjetër njerëzisht të cilët është e pamundur që të pajtohen për ndonjë gënjeshtër. Këtë e dinë të veçantët dhe të përgjithshmit dhe se muslimanët e trashëguan përcjelljen e Kuranit gjeneratë pas gjenerate. E mësonin së bashku në vendmësimet e tyre, e këndonin në namazet e tyre dhe ua mësonin fëmijëve të tyre, aq sa që ndonjë hoxhë i respektuar e serioz po të gabonte vetëm në një shkronjë nga Kurani, do të shpejtonin të vegjlit duke ia përmirësuar para të mëdhenjve; e kështu derisa mbërriti te ne, i pastër dhe i kulluar nga çdo shtesë, i ruajtur nga çdo mungesë a shtrembërim. Sikurse të pranohej mohimi i këtij argumenti, atëherë do të mohoheshin të vërteta të tjera të mëdha e të sakta, siç është ekzistimi i Profetit , shokëve të tij, sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) apo të famshmëve të tjerë përgjatë historisë. Këtë nuk e mohon askush nga mendjendriturit. Gjithashtu, Kurani përmban sfidën e Allahut shtruar njerëzve e xhindeve që të vijnë me një mrekulli sikur ky, e ata ishin të paaftë të bënin një gjë të tillë. Në tërë Kuranin nuk mund të gjesh asnjë mospërputhje, apo kundërthënie, apo mangësi. Në të gjen vetëm se mrekulli në ndodhi, ligje e dispozita edhe fjalë… E gjitha kjo dëshmon se ai nuk e ka zanafillën nga njerëzit punët dhe fjalët e të cilëve u vihet pas ndryshimi, kundërthënia e mangësia. Prandaj ai Kurani është nga Allahu dhe Ai e ka marrë përsipër ruajtjen e tij.