Shtyllat e besimit përgjatë edukimit

Shtylla e parë

Besimi në Allahun

Për ekzistencën e Allahut dëshmojnë: natyrshmëria e pastër njerëzore, logjika e shëndoshë dhe legjislacioni i saktë. Çdo krijesë është e inspiruar që me natyrshmërinë e saj të pastër të besojë në Krijuesin e vet. Si prova logjike, të gjitha këto krijesa duhen medoemos të kenë një Krijues. Sipas legjislacionit të saktë hyjnor, që të gjitha fetë qiellore miratojnë ekzistencën e Krijuesit. Kështu pra, besimi në Allahun përfshin katër gjëra:
– E para: ekzistimin e Allahut.
– E dyta: besimi në zotërimin e Tij (rububije), që Ai është Zoti, Krijuesi, Sunduesi, Urdhëruesi, Furnizuesi.
– E treta: besimi në njëshmërinë e Tij (uluhijen), se vetëm Allahu është i Adhuruari i Vërtetë që e meriton adhurimin.
– E katërta: besimi në emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta.“El Eselib en Nebevijeh litenmijetil kajim el imanijeh ledesh shebab el muslim fi dau’i et tahadijat el muasirah” Et Tajib Ahmed esh Shenkitij, f. 84-85. Këto katër gjëra ia mësojmë fëmijës duke e edukuar nën njohjen e Allahut, madhërimit të Tij dhe dashurisë për Të. Kjo është shtylla kryesore krahas shtyllave pasuese të tjera të besimit.

Pse t’i mësojmë fëmijët ta duan Allahun e Lartësuar?!

  1. Allahu i Madhëruar është Ai që na krijoi nga hiçi, e përsosi krijimin tonë, na ngriti e nderoi mbi shumë krijesa të tjera, na begatoi me begatinë më madhështore, fenë islame. Na furnizoi me shumë mirësi të cilat nuk i meritojmë, Ai është Allahu që na premtoi Xhenetin, si shpërblim të veprave tona të cilat, gjithashtu, janë begati dhe furnizim nga Ai; pra, Ai është Allahu që na bën nder e mirësi në fillim e fund.
  2. Nga dashuria për Të rrjedh nderimi, madhërimi dhe respektimi për Të, haptazi e fshehurazi. Ah, sa shumë kemi nevojë që fëmijët tanë ta respektojnë Zotin e tyre dhe ta nderojnë Atë në vend që lidhja e tyre me Zotin të jetë e ndërtuar vetëm mbi frikën nga dënimi i tij apo nga zjarri i Xhehenemit, por të jetë adhurimi i tyre ndaj Tij, kënaqësi shpirtërore që e jetojnë duke i ruajtur ata nga rrëshqitjet.
  3. Ai është Allahu i Gjalli, i Përjetshëm, Mbajtësi i gjithçkaje, i cili nuk vdes kurrë. Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Ai është me ta kudo që të jenë, Ai është që i vështron, i ruan dhe përkujdeset për ta më shumë se sa prindërit e tyre. Rrjedhimisht, të lidhurit e fëmijëve me Zotin e tyre duke e dashur Atë llogaritet një domosdoshmëri, e kështu ta njohin që kanë një mbështetje të fuqishme, e Ai është Allahu i Madhëruar.
  4. Kur ata ta duan Allahun e Lartësuar do ta duan Kuranin famëlartë, do të jenë të kujdesshëm për namazin. Kur ta dinë që Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën, atëherë do të bëjnë çdo gjë që është e bukur. Kur ata ta dinë që Allahu i do ata që shumë pendohen, pastrohen, janë vepërmirë, japin lëmoshë, janë durimtarë, mbështeten në Allahun, janë të devotshëm, e kështu me radhë, atëherë do të përpiqen që të stolisen me këto virtyte në kërkim të dashurisë dhe kënaqësisë së Tij, në kërkim të mbështetjes, përkrahjes dhe mbrojtjes së Tij ndaj tyre.Shiko: “Kejfe nuhib Allah ue neshtak ilejhi” Mexhdij el Hilalij, f. 14. Kur ta dinë që Allahu nuk i do tradhtarët, jobesimtarët, mendjemëdhenjtë, të padrejtët, zullumqarët e keqbërësit, do të largohen nga këto cilësi me gjithë forcat e tyre gjithmonë në kërkim të dashurisë së Allahut dhe ëndjen për kënaqësinë e Tij.
  5. Dashuria ndaj Allahut lind ndjenjën se Allahu na përkrah, me ç’rast nga kjo rrjedh ndjenja e qetësisë, prehjes dhe qëndrueshmërisë, mosbrengosjes dhe mërzisë. Kështu arrihet shpëtimi i shpirtit dhe trupit nga sëmundjet psikike dhe fizike dhe më e rëndësishmja: shpëtimi nga gjynahet dhe gabimet.

Si t’i mësojmë fëmijët që ta duan Allahun e Lartësuar?

  1. Mësimi përmes botës së shqisave llogaritet të jetë rruga e vetme për mbjelljen e çështjeve të besimit te fëmija. Kësisoj pra, ne mbështetemi në shqisat për përforcimin e besimit të fëmijës në Krijuesin e tij. Duke i përdorur fenomenet natyrore përreth nesh për arritjen e objektivave, p.sh.: përmes Diellit, erës, shiut i mësojmë fëmijës se ekziston Krijuesi që e drejton këtë kozmos. Në të njëjtën kohë e inkurajojmë fëmijën që të pyesë e të kërkojë sqarime.“El Murabune ue teseulat el atëfel” Nevel el Halifeh, f. 36-39. Ne përpiqemi që t’u vendosim fëmijëve thjerrëza besimi në sytë e tyre, që të aftësohen t’i vërejnë provat e ekzistencës së Allahut në çdo gjë që analizojnë apo mësojnë nga horizontet e njohurive të tyre.“Xhevenib et terbije el islamije el esesijeh” Mikdad Jelxhin, f. 147. Asisoj mundohemi që të shfaqim fuqinë e hatashme të Allahut dhe krijimin e Tij të përsosur. Bie fjala mund ta përdorim porosinë hyjnore të Allahut për shikimin e pikënisjes së krijimit të njeriut, siç thotë Allahu i Lartësuar:“Le të meditojë njeriu se prej çfarë është krijuar.” (Kuran,86:5). Nxitja për shikim në ushqimin e njeriut, si e krijoi Allahu atë, etapat të cilat i kaloi ai ushqim para se t’i shërbehej fëmijës, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Le të mendojë njeriu për ushqimin e vet.” (Kuran, 80:24).Gjithashtu theksimin e fuqisë madhështore të Allahut të Lartësuar nga rruga e shikimit të krijesave të tij që tregojnë për Madhështinë e Tij, siç thotë Ai i Madhëruari: “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! Po qiellin, se si është ngritur?! Po malet, se si janë vënë të patundur?! Po Tokën, se si është shtrirë?!” (Kuran, 88:17-20). Të gjitha këto kuptime madhështore në kohën tonë bashkëkohore mund të përcillen te fëmijët pa marrë parasysh moshën e tyre me anë të pajisjeve teknologjike të cilat na ofrojnë sqarime të qarta të llojllojshme. Fëmija me natyrshmërinë e tij të padjallëzuar do ta dojë Krijuesin e gjithë këtyre krijesave madhështore të cilat i ka nënshtruar për të.
  2. Mësimi i emrave të bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta që tregojnë për bukurinë dhe përsosmërinë e Tij. Allahu është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëbërësi, mëshira e të Cilit ka kapluar çdo gjë. Ai është Falësi i madh i Cili i fal gabimet, po ashtu ai është Falësi që pos faljes së gjynaheve edhe t’i mbulon ato e nuk të turpëron. Ai është Allahu, më Bujari, Ai është Allahu që i udhëzon robërit e tij për te të gjitha dobitë. Ai është i Dashuri që e duan dhe i do. Këto njohje për Allahun janë sinqerisht ndihmë e madhe që fëmija ta dojë Allahun, pa asnjë dyshim! Shiko: “Gars muhabete Allah xhele xhelehu fi nufus el mudëuvin” Dr. El Xhevhirah et Tarifij, f. 10.
  3. Duhet të kesh kujdes dhe të mos e përsëritësh frazën: “Nëse nuk më bindesh dhe nuk i dëgjon fjalët e mia, atëherë Allahu do të të dënojë ty.” Ka dallim në mes mësimit të fëmijës që Allahu i dënon ata që bëjnë gjynahe dhe nuk i binden Atij dhe në mes lidhjes së dënimit të Allahut me dëgjimin e fëmijëve ndaj prindit vazhdimisht dhe duke e kërcënuar atë për këtë mosdëgjim. Kjo,me të vërtetë, fëmijën e privon nga mendimi i thellë në fuqinë e Allahut dhe madhështinë e Tij. Nuk është e udhës që përgjatë edukimit të fëmijës të mbështetemi në frikësimin e fëmijëve me Allahun, por duhet t’i mësojmë ta duan, ta madhërojnë dhe ta admirojnë Allahun. Shiko: “Gars muhabete Allah xhele xhelehu fi nufus el mudëuvin” Dr. El Xhevhirah et Tarifij, f. 10. Pra, nuk i atribuojmë Allahut çdo gjë që ndikon në këndvështrimin e fëmijës për Allahun e Lartësuar.
  4. Kur fëmija i shikon prindërit se sa të kujdesshëm janë ata për faljen e namazit, apo se si largohen nga të ndaluarat, zakonisht do të pyesë nga kureshtja për arsyen e saj. Atëherë, përgjigjja duhet patjetër të përmbajë përmendjen e dashurisë për Allahun dhe bindjen ndaj tij. Kështu që ky do të jetë edukimi përmes shëmbëlltyrës së mirë për dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar, pasi fëmija i pason prindërit e tij. Çfarë ia shton fëmijës dashurinë për Allahun është t’i rrëfesh atij se çfarë ka përgatitur Allahu për banorët e Xhenetit, prej begative të përhershme.
  5. Kur fëmija ta arrijë moshën që t’i kuptojë çfarë do të thotë të jetë e detyrueshme, atëherë i mësohet obligimi i kësaj dashurie, për shkak se Allahu i Madhëruar është Ai që na ka krijuar neve, ka përsosur krijimin tonë, na ka furnizuar dhe nderuar mbi shumë prej krijesave të tij dhe na ka begatuar me fenë islame. Shiko: “Et Terbije el Aka’idijeh” Dr. Muhamed Haxh el Xhezairij, ueb-faqja: islahway.com; shiko: “Menhexh et Terbije en Nebevije lit tifël” Muhamed Suvejid, f. 212. Shtuar kësaj edhe mësimin e fëmijës që çdo begati që shikon përreth tij është nga Allahu. I mësojmë se si duhet të falënderojë Allahun dhe se si të kërkojë më shumë që Allahu t’ia shtojë këto begati. Kjo mënyrë e diskutimit të begative është mjaft shtytëse drejt dashurisë për Allahun e Lartësuar.Shiko: “Gars muhabete Allah xhele xhelehu fi nufus el mudëuvin” Dr. El Xhevhirah et Tarifij, f. 14.
  6. Duhet t’i mësojmë fëmijës të gjitha metodat ndihmëse përmes së cilave e përfiton dashurinë e Allahut dhe dashurinë e të Dërguarit të Tij, prej fjalëve, veprave dhe gjendjeve.Shiko: “100 vesileh lijubuka Allah ue Resuluhu” Sejid Mubarak, f. 5.

Shtylla e dytë:

Besimi në engjëjt

Besimi në engjëjt do të thotë të besojmë në ekzistencën e tyre, emrat e tyre të cilët i dimë, çdo rrëfim të saktë për to dhe që t’i duam ata. Nga kuptimet më të rëndësishme të cilat duhet të mundohemi t’i kultivojmë te fëmijët për engjëjt janë si në vijim:

  1. T’u mësojmë që engjëjt janë krijesa të krijuara nga drita. Përcillet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Janë krijuar engjëjt nga drita, xhindet janë krijuar prej flakës së zjarrit, ndërsa është krijuar Ademi ashtu siç ju është përshkruar juve.”Shënon Muslimi (2996) Mjafton që përshkrimi për engjëjt të jetë i përgjithshëm duke mos u futur në detajet e natyrës së krijimit të tyre.
  2. T’u mësojmë emrat e engjëjve të cilat janë përmendur në shpallje, p.sh.: Xhibrili është më besniku nga engjëjt dhe prijësi i tyre, është ai që zbriti Kuranin prej Allahut. Mikaili është engjëlli i autorizuar për zbritjen e shiut. Israfili është engjëlli i autorizuar për fryrjen e surit. Nga engjëjt janë edhe mbajtësit e Arshit, shkruajtësit e veprave, ruajtësit dhe lloje tjera të engjëjve.
  3. Të sqarohet që numri i tyre është shumë i madh, aq sa nuk e di numrin e tyre askush pos Allahu të Lartësuar. Engjëjt janë krijesa të cilat janë të krijuara që t’i binden Allahut dhe kryerjes së urdhrave të Tij; pra, çdo engjëll ka detyra të caktuara të cilat i përmbush ato me përpikëri.
  4. T’u mësojmë që engjëjt janë të mbrojtur nga mosbindja ndaj Allahut, prandaj ata e adhurojnë Allahu vazhdimisht, adhurim të tillë pa u plogështuar, pa u mërzitur, duke mos treguar mendjemadhësi. Ata i duan besimtarët, i ndihmojnë ata, luten për ta dhe i ruajnë. Gjithashtu janë prezentë në tubimet që përmendet Allahu dhe i përcjellin ato tubime.
  5. Nxitja e fëmijëve që t’i duan engjëjt përmes prezantimit të natyrës së tyre të mirë, kujdesit dhe interesimit të tyre për muslimanët, rrjedhimisht do të frymëzohen që t’i duan këto krijesa të mira e të bekuara. Shtuar kësaj edhe që engjëjt kërkojnë falje, luten dhe i përmendin besimtarët, i përgëzojnë besimtarët të cilët ishin të paepur në udhën e vërtetë duke besuar e bërë vepra të mira me Xhenete të begatshme. Gjithashtu i ndihmojnë dhe i përforcojnë besimtarët “Terbijetun Neshi’eh fil Kuran el Kerim” Sabah et Talejan, f. 43-44;, i ruajnë veprat tyre, siç i dërgon Allahu ata që t’i ruajnë robërit, Allahu i Lartësuar thotë: “Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut.” (Kuran, 13:11).
  6. Besimi në engjëjt e obligon madhërimin dhe nderimin e tyre, pasi ata janë robër të nderuar, i binden Allahut në çdo gjë që i urdhëron, bëjnë çdo gjë që urdhërohen, gjithashtu duhet të zhvishen engjëjt nga çdo cilësi që nuk përkon me ta.
  7. Inkurajimi dhe nxitja për pastërtinë personale, pasi engjëjt dëmtohen nga çfarë dëmtohen njerëzit. Siç përcillet nga Xhabir ibn Abdullah se Profeti ka thënë: “Kush ha nga këto perime, hudhra p.sh., dhe një herë tha: kush ha qepë, hudhër apo presh; atëherë mos t’u afrohet xhamive tona, sepse engjëjt dëmtohen mu ashtu siç dëmtohen njerëzit.” Shënon Muslimi (564)
  8. Ekzistenca e engjëjve dhe besimi në ta ka urtësia të shumta, prej tyre theksojmë: njeriu e kupton gjerësinë e diturisë së Allahut të Lartësuar, madhështinë e fuqisë së Tij, urtësinë e Tij të mahnitshme. Po ashtu, muslimani ndihet i qetë dhe i sigurt, pasi e di që Allahu ka ushtarë që e ruajnë atë dhe e ndihmojnë me urdhrin e Allahut.
  9. Lidhshmëria e engjëjve me ne që nga pikënisja e krijimit tonë, kujdesi i tyre ndaj nesh, e bën njeriun ta kuptojë se çfarë rëndësie dhe vlere të madhe ka kjo lidhshmëri. Në anën tjetër njohja e rëndësisë së kësaj lidhshmërie e privon njeriun të mendojë për ndonjë fjalë boshe apo nënçmimi ndaj tyre, kësisoj e kupton vlerën e vetes së tij, e atëherë nxiton me zell të madh që ta zbatojë rolin e tij madhështor të kërkuar nga ai.Shiko: “Alemul Melaiketil ebrar” Dr. Omer el Eshkar, f. 6.

Shtylla e tretë

Besimi në libra

Besimi në libra ngërthen në vete disa çështje, si vijojnë:

  1. Besimi për ekzistencën e librave të cilat kanë zbritur prej Allahut, gjë kjo që tregon për mëshirën madhështore të Allahut për robërit e Tij. Ai iu zbriti libër çdo populli që të udhëzohen me të, duke jua përshtatur atyre ligjet dhe dispozitat. Kësisoj i sqarohet fëmijës se zbritja e librave nga Allahu është nga begatitë më madhështore. Pasi librat hyjnorë na njoftuan ne për Allahun, botën tjetër, të mirën dhe të keqen.
  2. Besimi në librat të cilët i njohëm emrat e tyre, siç janë fletët e Ibrahimit (alejhis-selam), Teurati i cili i zbriti Musës (alejhis-selam), Zeburi i cili i zbriti Davudit (alejhi-selam), Inxhili i cili i zbriti Isës (alejhis-selam) dhe Kurani i cili i zbriti Muhamedit.
  3. Këta libra nuk bien në kundërshtim në mes tyre, por secili e vërteton dhe miraton se çfarë gjendet në tjetrin, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” (Kuran, 5:48).
  4. Besimi i ndodhive të vërteta që gjenden në librat e mëhershëm. Duhet t’i bëhet me dije fëmijës se librat qiellorë të mëhershëm kanë pësuar ndryshime dhe shtrembërime, si pasojë që ato libra ishin të kufizuara në kohë dhe Allahu nuk e kishte marrë përsipër mbrojtjen e tyre siç, bëri me Kuranin famëlartë.
  5. Të besuarit që Kurani i ka shfuqizuar të gjitha librat e mëparshëm dhe të punuarit me dispozitat e Kuranit fisnik është obligim deri në Ditën e Gjykimit. Duhet t’i bindemi urdhrave të tij dhe të largohemi nga ndalesat e tij. Ta llogaritim të ndaluar çdo gjë që ka ndaluar ai dhe ta pranojmë si të lejuar çdo gjë që ka lejuar ai. Të punuarit me ajetet e qarta që kanë kuptim të drejtpërdrejtë dhe të dorëzuarit para ajeteve që nuk janë të tilla dhe duke u ndalur para kufijve të ndalesave dhe mësimeve të tij.

Nga çështjet e rëndësishme të cilat janë pjesë e besimit në libra, llogaritet edhe çështja e nxitjes së fëmijëve ta mësojnë Kuranin famëlartë përmendsh që nga vegjëlia e tyre. Vlerësohet nxënia përmendsh e Kuranit fisnik nga aktivitetet më të rëndësishme për zhvillimin e inteligjencës te fëmijët. Sikur të dijë edukatori të gjallërojë në shpirtin e fëmijës frymën kuranore në mënyrën më të mirë, atëherë Kurani famëlartë do të na ftonte që të mendojmë dhe të meditojmë në krijimin e qiejve e të Tokës, në krijimin e njeriut dhe të gjitha krijesave përreth nesh.

Rrjedhimisht do të na shtohej besimi, do të çiftëzohen dituria me punën. Nxënia përmendësh e Kuranit famëlartë dhe njohja e kuptimeve të tij e ngenë njeriun në një nivel të lartë të inteligjencës.Për më shumë mund të shfletohet libri “El Iman bil kutub” i hoxhës tonë Dr. Muhamed el Hamed dhe libri: “El Iman bil kutub” Ahmed en Nexhar.

Gjithashtu, fëmijës (arab) ia zgjidh gjuhën që të flasë gjuhën standarde të pastër (arabe). Kjo arrihet nga përmirësimi i leximit të tij të gjuhës arabe përmes rregullave të leximit të Kuranit. Kurani ia mëson fëmijës përjetimet hyjnore të frikës, prehjes, shpresës, zbutjes së zemrës dhe ndjenjave të tjera.

Ia mëson fëmijës punën me porositë e shenjta kuranore, moralin e tij në të gjitha sferat e jetës ditore të tij. E edukon fëmijën për një jetë të qëndrueshme dhe virtyte të lavdëruara, duke mos i harruar dobitë e shpërblimeve madhështore dhe mirësitë e mëdha të Allahut të lartësuar të cilat i arrin personi në vendtubimet e nxënies përmendsh të Kuranit.“Tealim et tefkir” Sejf el Aiseveij, f. 121.

Si ta nxisim fëmijën që ta mësojë Kuranin përmendsh?

  1. Duke ia sqaruar mirësitë dhe begatitë e Kuranit, mirësitë e nxënies së tij përmendësh, leximit të tij, mësimit të tij, dhe të punuarit me të. Siç është fjala qwqw2ww.le Profetit: “Lexojeni Kuranin sepse ai do të vijë në Ditën e Gjykimit si ndërmjetësues për lexuesit e tij.”Shënon Muslimi (804). Gjithashtu fjala e tij: “I thuhet atij që mësoi Kuranin, lexo, ngrihu dhe këndo ashtu siç këndoje Kuran në dynja, pasi pozita jote do të jetë tek ajeti i fundit që do ta lexosh.”Shënon Tirmidhiu (2914), ndërsa Albani e vlerëson si të mirë. Po ashtu, fjala e tij: “Besimtari që e lexon Kuranin, i shëmbëllen trigjethëshit: aromën e ka të mirë, por edhe shijen e ka të mirë. Besimtari që nuk e lexon Kuranin, i shëmbëllen hurmës: ndonëse nuk ka aromë, shijen e ka të ëmbël. Ndërkaq, hipokriti (munafiku) që e lexon Kuranin i shëmbëllen borzilokut: aromën e ka të mirë, porse shijen e ka të hidhur; e hipokriti (munafiku) që nuk e lexon Kuranin i shëmbëllen kungullit të egër: aromë nuk ka fare e shijen e ka të hidhët.”Shënon Buhariu (5427). Dhe fjala e tij: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”Shënon Buhariu (5027) Shtuar kësaj edhe disa shëmbëlltyra të të parëve tanë të mirë me lidhjen e tyre me Kuranin, pasi janë nga shtytësit më të lartë të ambicieve.
  2. Duke e regjistruar fëmijën në shkolla të nxënies përmendsh të Kuranit, apo në xhami ku mësohet Kurani përmendsh, apo duke e kërkuar për të një mësues që t’ia mësojë Kuranin. Duke ia bashkangjitur kësaj iniciative edhe shtytës të tjerë nga dhuratat apo krijimi i një ambienti garues e sfidues në mes të fëmijëve apo nxënësve.
  3. Duhet patjetër në fillim thjeshtimi i çështjes së nxënies së Kuranit përmendsh për fëmijën, derisa të bëhet kjo gjë e dashur për të. Në fillim le të fillohet me mësimin përmendsh të pjesës së fundi të Kuranit, xhuzit amme, ngase karakterizohet me ndërprerje të shkurtra dhe me rimë të përshtatshme dhe kjo e lehtëson ngulitjen në mendjen e fëmijës.Shiko: “Tifëlu ibtide’ij ue turuk terbijetuhu ilmijen” Mu’tez Shehejn, uebfaqja almoslim.net (7.7.1432 hixhrij) Këto sure përmbajnë shtyllat e besimit, kështu që ia përmirëson atij besimin dhe ia drejton atij sjelljen, madje ia ruan shëndetin dhe qetësinë fëmijës. Kurani famëlartë gjithashtu është përmendje e Allahut (dhikr) dhe shërim (rukje).
  4. Përgjatë leximit të Kuranit nga fëmija apo nxënies së tij përmendsh duhet të interesohemi t’ia shpjegojmë fëmijës disa kuptime të thjeshtëzuara të Kuranit, në mënyrë të atillë që kuptimet kuranore t’ia hapin zemrën dhe ndriçojnë mendjen. Mos të gabojë ndokush të mendojë që fëmijës së vogël nuk i takon t’i shpjegohet, pasi fëmija përmban fuqi të çuditshme në mësim përmendsh dhe gjithashtu në nxënie të kuptimeve.
  5. Ia mësojmë fëmijës se Kurani është shërim, mëshirë dhe i gjithi bereqet. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Kuran, 17:82). Gjegjësisht ai që e mëson Kuranin përmendësh apo ndonjë pjesë të tij, atëherë e ka të lehtë që t’i lexojë Kuran vetes me qëllim të shërimit (rukje) kur të sëmuret dhe po ashtu t’ua lexojë të tjerëve përreth.

Shtylla e katërt:

Besimi në profetët

Besimi në profetët nënkupton të besuarit e vërtetësisë së tyre dhe vërtetësisë së ndodhive të sakta që janë përcjellë prej tyre. Po ashtu, të besuarit në profetët, të cilët i njohim me emrat e tyre, është se Allahu i ka përzgjedhur nga popujt e tyre si të veçantë e të dalluar që ishin në moralin dhe zgjuarsinë e tyre, që ta përcjellin mesazhin hyjnor nga Zoti i tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit).” (Kuran, 14:4). Sikur të ishte profeti i dërguar engjëll nuk do ta kuptonin. E kemi për detyrë të mos bëjmë dallime në mes të profetëve, me fjalë tjera: që t’iu besojmë disave dhe disa të tjerë t’i përgënjeshtrojmë, por u besojmë të gjithëve. Pra, të gjithë profetët ishin të saktë në përcjelljen e shpalljes së Zotit. Ishin besnikë në këshillimin e popujve të tyre, ata janë të mbrojtur nga gabimet në lidhje me përçimin e shpalljes nga Zoti. Ndërsa ne nuk e kemi për detyrë të punojmë vetëm se me legjislacionin e Profetit të fundit prej tyre, që ai është Muhamedi.

Nga kuptimet edukuese të cilat është e udhës t’i kultivojmë fëmijëve në lidhje me besimin në profetët janë siç vijojnë:

  1. Të sqaruarit e fëmijëve që Allahu i Lartësuar për çdo popull ka dërguar profet nga mesi i tyre, me qëllim që t’i thërrasin popujt e tyre që ta adhurojnë vetëm Allahun e Lartësuar, që meriton adhurimin, dhe mohimi i adhurimit të çdogjëje tjetër pos Tij. Dhe duke ua sqaruar që të gjithë profetët ishin të sinqertë, të vërtetë, të çiltër, bamirës, të drejtë, besnikë e të devotshëm.
  2. Sqarimi që esenca e thirrjes së të gjithë profetëve ishte një, e përbashkët, që është njëshmëria e Zotit, të veçuarit vetëm të Allahut të Lartësuar me të gjitha llojet e adhurimeve, me besim në zemër, me gjuhë dhe gjymtyrë. Gjegjësisht duke i mohuar të gjithë që adhurohen në vend të Tij.
  3. Sqarimi i urtësive të Allahut në dërgimin e profetëve te krijesat e Tij. Prej tyre mund të cekim: adhurimi i Allahut të Madhëruar dhe njësimi i Tij, udhëzimi i njerëzve për te udha e drejtë, t’ua mësojnë njerëzve fenë dhe gjërat e tjera të jetës së kësaj bote, nxjerra e njerëzve nga errësira në dritë, udhëheqja e popullit dhe zbatimi i ligjeve të Allahut, edhe të qenit e tyre shëmbëlltyrë, me qëllim që të pasohen gjurmët e tyre të rrugës së drejtë.
  4. Dituria për mëshirën e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij dhe kujdesin e Tij ndaj tyre, sa që dërgoi të dërguar me qëllim që t’i udhëzojë ata për tek udha e Allahut të Lartësuar. Përkujtimi që duhet falënderuar Allahun për këtë begati madhështore dhe që duhen dashur të gjithë profetët, pasi ata e përcollën Shpalljen dhe i këshilluan robërit e Allahut. Njerëzve sado që iu është dhënë zgjuarsi dhe mençuri, atyre asnjëherë nuk mund t’iu pavarësohen mendjet e tyre për vendosjen e një rregulli të përgjithshëm përmirësues të umetit nga të gjitha anët, për dallim nga umeti islam që është i kapur, i bashkuar dhe i barabartë në dhënien e së drejtës gjithsecilit siç i takon sipas mësimeve hyjnore. Pra, profetët u mësojnë njerëzve çfarë u bën dobi dhe çfarë i dëmton. Shiko: “Mexhmu’ul fetava ue rasail” të shejh Muhamed ibn Salih el Uthejmin, f. 145.
  5. Mbjellja e dashurisë për të Dërguarin e Allahut që t’i binden atij, t’i pasojnë gjurmët e tij, ta madhërojnë dhe mos ta parakalojnë në dashuri dikë tjetër pos tij. Të dashurit e të gjithë atyre që e duan të Dërguarin e Allahut dhe të armiqësuarit e të gjithë atyre që e armiqësojnë atë. Shiko: “Devrul enshitah gajrus safijeh fi tenmijeti hub en Nebeij lede telmidhat el merhaletil ibti’daijeh” Feuzijeh el Bakemij, f. 92, 98, 99. Shtuar kësaj, nderimin e emrit të tij kur të përmendet duke dërguar salavate dhe selame për të, duke i vlerësuar virtytet dhe mirësitë e tij, siç ishte shumë i mëshirshëm, mëshironte e ndjente keqardhje.

Si t’ia mësojmë fëmijës dashurinë për Profetin ?

  1. Duhet që patjetër t’ia theksojmë se Allahu i Lartësuar e do të Dërguarin e Tij , e ka përzgjedhur atë dhe e ka ngritur dhe nderuar mbi të gjithë njerëzit. Allahu na obligoi ne që ta duam atë, dhe t’ia mësojmë fëmijëve që dashuria për Profetin është nga shenjat e dashurisë për Allahun e Lartësuar, në mënyrë që ai që e do të Dërguarin e Allahut, ai e do Allahun me dashuri të sinqertë.

  2. T’ua kujtosh fëmijëve që Profeti u dërgua si mëshirë për të gjitha botët, me udhëzimin dhe përcjelljen e kësaj feje. Gjithashtu, do të jetë mëshirë për besimtarët kur të ndërmjetësojë për ta në Ditën e Gjykimit.
  3. Duke iu lexuar fëmijëve biografinë e bukur të Profetit. T’i qartësohet fëmijës se i Dërguari i Allahut është shëmbëlltyra më e lartë që duhet pasuar nga të gjithë njerëzit. Përmendja e disa nga shenjave dhe mrekullive të profetësisë së tij, moralit të tij madhështor, ndihmesa e tij ndaj të shtypurve, butësia e tij ndaj të varfërve, porosia e tij për jetimin, mëshira dhe ndjeshmëria e tij për të dobëtit, etj. Mund të përfitohet nga libri “Kejfe a’melehum” të Muhamed el Munexhid, f. 301, 691, 761 dhe nga libri “Er Rrahmetu fi hajetir Resul”, f. 65. Është e udhës që gjuha jonë e bisedës me fëmijët të jetë e përshtatshme me zhvillimin e fëmijës, duke u mjaftuar me çështje të cilat i percepton niveli i tij intelektual, me qëllim që ta kuptojë sa më mirë. Gjithnjë duke u munduar për ndryshimin e metodave të prezantimit duke i pasur parasysh kërkesat dhe nevojat e zhvillimit të cilat i përshtaten periudhave të moshës së fëmijës, shtuar kësaj edhe kujdesin për natyrën e ndryshimeve individuale dhe kushteve të rrethit që e rrethon. “Te’amelus Resul me’al atëfel terbevijen” Dr. Hisah es Sagir, f. 75-77; dhe mund të përfitohet nga libri “El Atlas et terihij siratir Resul” Samij el Magluth, f. 199.
  4. Duke e vërejtur fëmija në prindërit e tij, apo rrethin që jeton madhërimin e Profetit, madhërimin e trashëgimisë profetike dhe fjalëve të tij. Zellin në pasimin e tij dhe gjurmëve të tij, kujdesin e vazhdueshëm të çuarjes së salavateve për të kurdo që i përmendet emri i tij. Sjellja e prindërve, zbatimi i tyre praktik, udha e tyre është ndikuesi më i madh në edukimin e fëmijëve. Atëherë kur prindi t’i zbatojë sunetet dhe veprat vullnetare duke i treguar fëmijës se kjo ishte praktika e të Dërguarit të Allahut, atëherë pra, edukimi përmes shëmbëlltyrës do t’i japë frytet e saj më të mëdha përgjatë rritjes dhe zhvillimit të duhur nën edukimin e besimit të shëndoshë. Profeti është shëmbëlltyra jonë më e mirë dhe më e lartë, të cilin edukatorët duhet ta pasojnë dhe të ecin gjurmëve të tij të udhëzimit, zbatimit praktik të të gjitha porosive të tij bashkërisht me fëmijët e tyre.
  5. Inkurajimi i fëmijëve për mësimin e disa haditheve të sakta të cilat vënë në pah përsosurinë dhe bukuritë e fesë islame, virtytet dhe cilësitë e Profetit apo vlerën e sahabëve (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Hadithet kanë një ndikim të madh në besimin, moralin dhe ndërtimin e personalitetit, për t’i inkurajuar fëmijët që t’i mësojnë hadithet, atëherë pëlqehet të zgjidhen hadithe të shkurtra, të qarta për t’u kuptuar, që përmbajnë morale të rëndësishme për moshën e tyre,Shiko: “Et Tifël fi sheriah el islamijeh ue menhexh et terbijetin Nebevijeh” Siham Xhabar, f. 252. me këtë rast mund të përdoren garat dhe konkurset për t’i nxitur, duke përdorur metoda që ngjallin interes e duke ia bashkangjitur disa dhurata e shpërblime.
  6. Rrëfimi i tregimeve të sahabëve në raportet e tyre me Profetin Muhamed, theksimi i madhërimit të tyre karshi tij dhe xhelozinë e tyre për të. Sidomos tregimet e sahabëve të rinj, siç është rrëfimi i Enesit dhe zelli e tij i madh në pasimin e të Dërguarit të Allahut, siç tregon Enesi që një rrobaqepëse ftoi Profetin për një ushqim të cilin e kishte përgatitur. Thotë Enesi: “Shkova bashkë me Profetin për tek ai ushqim. Rrobaqepësi i shërbeu Profetit një copëz buke nga elbi dhe supë që përmbante kungull dhe mish të tharë. (vazhdon Enesi të rrëfejë) E pash Profetin që e ndiqte kungullin rreth e përqark pjatës. Prej atij momenti vazhdoj ta pëlqej kungullin.” Gjithashtu, përcjell Thumameh nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) i cili thotë: “Atëherë e mblidhja kungullin dhe e vendosja përpara tij.”Shënon Buhariu (5439) Kësisoj kujdeset edukatori ta vë në dukje se si e donin sahahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) Profetin dhe se si sakrifikonin për të, duke e ilustruar me tregimet e tyre.Shiko: “E’adham insan arefet’hul besherijeh” Hisham Bergush (f. 152), shiko: “Hamsun mevkifen lin Nebij me’as sigar”, të Dr. Ibrahim el Vedan, f. 19.
  7. Të sqaruarit se çfarë ndikimi rrjedh nga dashuria për të. Përcillet në hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se një njeri e pyeti Profetin për Ditën e Kiametit: “Kur do të ndodhë Kiameti?”. Profeti iu përgjigj: “Çfarë ke përgatitur ti për të?” Atëherë ai tha: “Nuk kam përgatitur shumë, përveçse unë e dua Allahun dhe të Dërguarin e tij?” Profeti tha: “Ti do të jesh me atë që e do.”. Thotë Enesi: “Nuk jemi gëzuar më shumë se sa gëzimi për fjalët e Profetit: “Ti do të jesh me atë që e do.” dhe unë e dua Profetin edhe Ebu Bekrin, edhe Omerin dhe shpresoj të jem me ta me dashurinë time për ta, ndonëse nuk kam punuar siç kanë punuar ata.” Shënon Buhariu (3688).
  8. Përkrahja e fëmijës në krijimtarinë e tij për dashurinë ndaj Profetit. Bie fjala: të shkruarit e poezisë, ndonjë tregimi, artikulli apo përgatitja e ndonjë ligjërimi, si dhe duke ia shoqëruar nxitjes së tij me gara e konkurse të ndryshme rreth tematikës së dashurisë për të Dërguarin e Allahut .

Shtylla e pestë:

Besimi në Ditën e Hereafter

Të besuarit në Ditën e Gjykimit do të thotë të besosh vdekjen, ringjalljen, llogaridhënien, shpërblimin apo ndëshkimin, Urën e Siratit mbi Xhehenem, Peshoren, Xhenetin dhe Xhehnemin. Fëmija pas moshës së pjekurisë fillon t’i kuptojë disa çështje të Ditës së Gjykimit. Ndërsa para kësaj moshe është e preferuar që tematikat e kësaj dite t’i përmenden shkurt e të përmbledhura, duke ia qartësuar fëmijës se ekziston një jetë tjetër në botën e ardhshme, pos kësaj të cilën e jetojmë, dhe që Allahu e ka krijuar Xhenetin vendbanim të përhershëm për besimtarët dhe Xhehenemin për jobesimtarët.“Gars usul el-iman fi nefsi et-tifl,” Dr. Sherife el-Hazimij, f. 124.

Nga kuptimet më tërëndësishme të edukimit që duhet gdhendur te fëmija në lidhje me besimin në Ditën e Gjykimit janë siç vijojnë:

  1. T’i sqarohet fëmijës që Allahu i Lartësuar do t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre që t’i shpërblejë apo ndëshkojë për punët e tyre në këtë botë, nëse kanë bërë vepra të mira atëherë shpërblehen me Xhenet, e nëse kanë bërë vepra të këqija atëherë do të ndëshkohen me Xhehenem.

  2. T’i sqarohet fëmijës që Allahu i Lartësuar e ka caktuar Xhenetin si vendbanim i përhershëm i lumturisë dhe dinjitetit. Allahu i Lartësuar e ka krijuar atë që t’i shpërblejë me të robërit e tij besimtarë, ndërsa e ka krijuar zjarrin e Xhehenemit si ndëshkim për jobesimtarët. Gjithnjë, qartësimi ndaj fëmijës të jetë përmes inkurajimit dhe nxitjes në begatitë e Xhenetit dhe se çfarë u ka përgatitur Allahu në të besimtarëve të Tij.
  3. Të biseduarit me fëmijën rreth vdekjes dhe botës tjetër me një mënyrë të butë që e vë në dukje mëshirën e Allahut, faljen dhe dashamirësinë e Tij për robërit e Tij, në atë mënyrë që mos ta kaplojnë fëmijën mendime ngacmuese.“El Murebun ue teseulat el atëfel”, Nevel el Halifeh, f. 119-121. Gjegjësisht mund t’i lidhet tematika në fjalë me të gjitha krijesat e tjera të gjalla që do t’i kalojnë këto etapa, por njeriun Allahu e dalloi duke i ngarkuar detyrën e adhurimit të Tij, ndërsa të gjitha krijesat e tjera ia nënshtroi atij dhe i premtoi që do ta shpërblejë.
  4. T’ia qartësosh fëmijës se Allahu nuk e miraton zullumin dhe zullumqari nuk i shpëton dot dënimit. Gjithashtu, edhe atij që i është bërë padrejtësi nuk do ta lërë Allahu pa ia dhënë drejtësinë e merituar edhe se çdo vepërmirë do t’i korrë shpërblimet e veprave të tij. Ne, çdo ditë, shohim në jetën e kësaj bote se si jetojnë disa zullumqarë dhe vdesin si të tillë, prandaj patjetër që ekziston jeta e botës tjetër, përveç kësaj jete të cilën e jetojmë, me ç’rast gjithsecili do të marrë të drejtën e tij, punëmiri do të shpërblehet e keqbërësi do të dënohet.

Shtylla e gjashtë:

Besimi në paracaktimin e Allahut

Të besuarit në paracaktimin e Allahut nënkupton besimi në diturinë e plotë të Allahut, të shkruarit e Tij, dëshirën e Tij dhe të krijuarit e Tij. Fëmija në fillim të moshës së vegjëlisë nuk arrin ta kuptojë paracaktimin e Allahut. Disa thonë se nuk arrin ta kuptojë këtë tematikë deri pas moshës nëntë vjeçare, afërsisht.“Gars usul el-iman fi nefsi et-tifl,” Dr. Sherife el-Hazimij, f. 128. Mirëpo, disa kuptime edukative në lidhje me kapitullin e paracaktimit të Allahut duhet t’i gdhenden fëmijës, si për shembull:

  1. Baza për këtë kapitull është hadithi i përcjellë nga Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili ka thënë: “Një ditë, ndërsa isha mbrapa të Dërguarit të Allahut më tha: ‘O djalosh, po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh pranë! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu! Gjithashtu, dije se, po qe se të gjithë njerëzit do të mblidheshin për të të bërë mirë, nuk do të mund të të bëjnë mirë, pos asaj që ta ka caktuar Allahu dhe anasjellas, nëse bashkohen për të të bërë dëm, nuk do të mund të të dëmtojnë, përveç asaj që ta ka caktuar Allahu. Tashmë lapsat janë ngritur dhe fletët janë tharë.”E shënon Tirmidhiu (nr. 2516) dhe thotë se është hadith hasen-sahih. Në një transmetim tjetër, thuhet: “Ruaje Allahun, që ta kesh para vetes! Njihe Allahun kur të jesh në rehati, që të të njohë kur të jesh në vështirësi! Gjithashtu, dije se ajo që nuk të ka goditur, nuk do të mund të të godiste dhe se ajo që të ka goditur, nuk do të mund të të mos godiste. Po ashtu, ta dish se fitorja është me durimin, shpëtimi me mundimin dhe vështirësia me lehtësimin.’” E shënon Ahmedi (2803) Ky hadith profetik, sinqerisht, llogaritet burim i edukatës që përfshin shumë udhëzime të mira nga Profeti bujarë për umetin e tij që të jenë të kujdesshëm ndaj fëmijëve të tyre, në mënyrë që të rriten e të edukohen nën hijen e besimit të shëndoshë.
  2. Në esencë duhet shmangur kjo temë e diskutimit me fëmijën në moshë të vegjëlisë së tij, ndërsa në anën tjetër fëmijës duhet t’i flitet dhe sqarohet gjerësia e hershme e diturisë së Allahut, fuqia e Tij, gjithpërfshirja e Tij, vullneti e dëshira dhe krijimtaria e Tij; gjithnjë duke ia shoqëruar kësaj miratimin e vullnetit të lirë të njeriut, përgjegjësinë e tij të plotë për veprat e zgjedhura prej tij. Gjegjësisht të arritjes së shpërblimit apo ndëshkimit sipas veprave të tij, shkurtimisht. Ndërsa nëse kjo çështje ia mbulon horizontin e të menduarit fëmijës, atëherë edukatori e ka për detyrë aq sa të ketë mundësi t’ia sqarojë në një mënyrë të thjeshtësuar që ta kuptojë mendja e tij.
  3. Edukimi i fëmijës që kërkesat t’ia parashtrojë Allahut të Lartësuar dhe të mos i kërkojë dikujt tjetër pos Tij, të kërkojë ndihmë vetëm prej Tij, lutjen t’ia drejtojë vetëm Allahut të Madhëruar. I mësohet, gjithashtu, që të mbështet në Allahun, duke ia mësuar durimin në caktimet e Allahut.
  4. T’i mësohet fëmijës që, me të vërtetë, Allahu ia do të mirën atij. Ai ndodhet në këtë jetë në pritje të caktimeve të Allahut. Kësisoj fëmija nuk do të mërzitet e as pikëllohet, por i përballon vështirësitë me shpirt të kënaqur me caktimet e Allahut, duke qenë i bindur që fjalën e të Lartësuarit: “Thuaj: ‘Do të na godasë vetëm ajo që na ka caktuar Allahu.’” (Kuran, 9:51).
  5. T’i mësohet fëmijës që ndodhitë e çështjeve janë në dorë të Allahut të Lartësuar dhe që Ai bën çfarë të dojë dhe zgjedh çfarë të dojë. Atij i takon pushteti absolut mbi krijesat e tij. Kjo shpie te forcimi i lidhjes së fëmijës me Krijuesin e tij dhe nxitimi drejt Tij, e rrjedhimisht do t’i lidhë të gjitha shpresat, synimet, lutjet e tij me Të, Allahun e Lartësuar.
  6. Besimi në këtë shtyllë të besimit e përmbush qëndrueshmërinë e zemrës së fëmijës. Kur besimtari ta ndiejë se çfarëdo që i ndodhë atij, qoftë mirë apo keq është mirësi për të dhe që nuk ekziston ndonjë e keqe absolute, atëherë ai do të ndiejë qetësi e prehje shpirtërore dhe qëndrueshmëri. Kjo do ta bëjë fëmijën që të përballet me problemet, lodhjet, brengat e tij me një zemërgjerësi ndaj caktimeve të Allahut, e kështu do t’ia dorëzojë çështjet e tij Allahut dhe do të jetojë me zemër të qetë e mendje rehat. Shiko: “Et Tifël fi sheriah el islamijeh ue menhexh et terbijetin Nebevijeh” Siham Xhabar, f. 249. Ai që beson në paracaktimin e Allahut të Lartësuar nuk do të pikëllohet, nuk do të jetë i padurueshëm dhe nuk inatoset përgjatë sprovave dhe fatkeqësive, por ai i nënshtrohet caktimit të Allahut dhe llogarit shpërblimin e Tij, duke e kujtuar fjalën e Allahut në goditjen e parë të sprovës: “Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: ‘Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!’ Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (Kuran, 2:155- 157)..
  7. Mund të ndihmohemi me disa tregime e ndodhi që u kanë ngjarë njerëzve të cilët në fillim i llogaritën si fatkeqësi të mëdha caktimet e Allahut për ta, e më pas u qartësuan atyre mirësitë e fshehura pas atyre caktimeve të Allahut të Lartësuar, aq sa gjendja dhe çështjet e tyre u përmirësuan më mirë se sa që ishin.
  8. Besimi në paracaktimin e Allahut përmblidhet në atë se Allahu i Lartësuar është më i Dituri për çdo gjë në përgjithësi dhe veçanti dhe që Ai i shkroi nga dituria e Tij e hershme e pafillim caktimet e krijesave se çfarë do të ngjajë deri në Ditën e Kiametit në Pllakën e Ruajtur dhe se të gjithë krijesat dhe gjërat nuk do të ndodhin pa vullnetin dhe krijimin e Tij.
Back to top button