Pyetjet me besimin në Ditën e Gjykimit
Pyetjet që kanë të bëjnë me besimin në Ditën e Gjykimit
Çfarë është Dita e Gjykimit?
Ajo është dita në të cilën Allahu i ringjallë krijesat për t’u llogaritur. Quhet edhe si Dita e Fundit, pasi nuk ka ditë tjetër pas saj. Po ashtu quhet si dita Gjykimit apo Llogarisë, sepse Allahu i merr në llogari njerëzit në atë ditë për veprat të cilat i kanë bërë në këtë botë. Kësisoj, ai që ka bërë vepra të mira dhe i është bindur Allahut, atë e fut në Xhenet dhe e kundërta, ai që ka bërë vepra të këqija dhe nuk i është nënshtruar Allahut e fut në Xhehenem. Kjo ditë është dita në të cilën mbaron jeta e botës për të gjithë njerëzit. Gjithashtu, quhet edhe si Dita e Ngritjes, sepse është një nga kuptimet e saj, pasi njerëzit ringjallen dhe ngrihen nga varret e tyre për të dhënë llogari.Shiko dhe: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 68; shiko dhe: “El Jevmel ahir” Muhamed et Tuvexhrij, f. 6.
Kur është Dita e Kiametit? Pse është fshehur ajo ditë nga ne?
Askush nuk e di se kur do të ndodhë Dita e Kiametit, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Të pyesin ty për Orën (e Kiametit) se kur do të ndodhë. Çfarë rëndësie ka për ty që ta përmendësh atë? Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj. Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i frikësohen asaj.” (Kuran, 79:42-45). Allahu e ka fshehur prej nesh këtë ditë, në mënyrë që të përpiqemi të bëjmë vepra të mira e të jemi në gatishmëri për të në çdo ditë, duke bërë sa më shumë vepra të mira e duke u larguar nga të këqijat. Sikur ta dinte njeriu se kur do të ngjajë ajo ditë, nuk do të pendohej vetëm se pak kohë para saj, e kështu do mbushej kjo botë me çrregullime edhe më shumë.Shiko dhe: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 67.
Çfarë është llogaridhënia?
Llogaridhënia është ngjarja kur Allahu do t’i mbledhë të parët e të fundit, siç e përshkruan Allahu këtë ndodhi në librin e tij Famëlartë: “Thuaju (o Muhamed): ‘Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët, do të tubohen në një ditë të caktuar’.” (Kuran, 56:49-50). Pastaj ua shfaq atyre punët e tyre, i njofton ata për to dhe i shpërblen sipas veprave të tyre. Ai që ka bërë mirë atë do e korrë, edhe ai që ka bërë keq atë do ta gjejë. Thotë Allahu i Madhëruar: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Kuran, 99:7-8).
Çfarë është vdekja?
Zakonisht fëmija në moshën gjashtë vjeçare e më poshtë nuk arrin ta kuptojë tërësisht se çfarë do të thotë vdekja dhe ringjallja, apo që vdekja është përfundimi i paevitueshëm për të gjithë njerëzit njëlloj. Kurse fëmija nga mosha gjashtë vjeçare deri në tetë, shumicën e rasteve mundet ta kuptojë se çfarë është vdekja dhe që do t’i ndodhë të gjithë njerëzit. Fëmija nga mosha tetë vjeçare deri në dhjetë, arrin përfundimisht ta kuptojë kuptimin e vdekjes dhe të gjithë ringjalljes. Ndodh që fëmija të kalojë mbi ndonjë sprovë të vdekjes së ndonjë familjari, kështu do të jetë hera e parë që do të përballet me këtë fenomen. Nuk e dimë se çfarë përjetime përjeton kur të dëgjojë për varrin apo vdekjen, por zakonisht do ta kaplojë frika nga këto çështje. Kësisoj, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të iniciojmë sqarimin e vërtetë të kuptimit të vdekjes, pa e gënjyer fare apo pa tentuar që ta bindim se personi i vdekur ka udhëtuar apo gjëra të ngjashme, pasi nuk do të kalojë shumë kohë dhe do ta kuptojë të vërtetën nga të tjerët.
Më së miri para se t’i tregojmë fëmijës për vdekjen e ndonjë familjari, është që fëmijën ta marrim për një shëtitje duke ia shfaqur ndonjë zog të ngordhur, apo ndonjë pemë të tharë, apo ndonjë insekt të ngordhur e kështu fëmijës i bëhet e qartë kuptimi i vdekjes në formë reale dhe arrin ta perceptojë përmes shqisave. Më pastaj provojmë t’ia shpjegojmë fëmijës me thjeshtësi që i vdekuri ka shkuar të jetojë në botën e ardhshme dhe ne që të gjithë kur të vijë koha do t’u bashkohemi të gjithë atyre që vdesin para nesh. Do të jetojmë me ata në Xhenet, me lejen e Allahut.
Është e rëndësishme, gjithashtu, që t’i sqarohet fëmijës se vdekja nuk do të thotë fundi i jetës përfundimisht, por ajo është fillimi i jetës së ardhshme kur njeriu besimtar kalon në një jetë më të mirë, ndërsa keqbërësi mohues kalon te një jetë e hidhur ku korrë të mbjellat e veprave të veta të këqija. Allahu kur të na bëjë që të vdesim, kjo nuk do të thotë që Ai nuk na do neve, por na bën që të vdesim që të jetojmë në botën e ardhshme afër Tij, në Xhenetet e mrekullueshme të cilat nuk mundemi assesi t’i paramendojmë sa të bukura që janë.Shiko: “Tifluke ue es’iletuhu el haraxheh”, Shehijnez Abdulfetah, f. 76; shiko dhe: “Es’iletu tiflik el harexheh” Ebu el Mexhd Harak, f. 168.
Atëherë pse vdesin disa fëmijë?
Fëmijët, në përgjithësi, nuk bëjnë vepra të këqija, nuk bëjnë gabime me qëllim. Kësisoj, Allahu i kaplon ata fëmijë që vdesin me mëshirë dhe i fut në Xhenet. Atëherë kur të vdesë njeriu i mirë dhe të tretet, shpirti i tij mbetet dhe ngrihet te Krijuesi i tij Madhështor. Më pas përkujtohet emri i tij për të mirë, i mbesin veprat e tij të mira në zemrat e njerëzve. Kështu që, njeriu duhet të përgatitet për takimin me Zotin e tij dhe të bëjë vepra të mira sa më shumë duke u përmbajtur mësimeve të fesë islame.Shiko: “Es’iletu tiflik el harexheh” Ebu el Mexhd Harak, f. 170; shiko dhe: “Tifluke ue es’iletuhu el haraxheh”, Shehijnez Abdulfetah, f. 77.
Ku do të shkojmë pasi të vdesim?
Kur të mbarojë koha, të cilën na e ka caktuar Allahu të qëndrojmë në këtë botë, do të zhvendosemi në varr, i cili është vendi i caktuar për të vdekurit. Varri shndërrohet në kopsht prej kopshteve të Xhenetit për besimtarin që e beson Zotin e tij, i bindet Atij dhe bën vepra të mira përgjatë jetës së tij në jetën e kësaj bote, e kështu do të jetë në begati në varr derisa të ndodhë Kiameti.
A dëgjon apo shikon i vdekuri? Si mund të marrim frymë nën dhe? A ushqehet apo fle i vdekuri?
Po, i vdekuri e dëgjon selamin kur e përshëndesim me esselamu alejkum, i mbërrin atij lutja kur të lutemi për të. Mirëpo ai nuk merr frymë siç marrim ne, pasi ai nuk ka nevojë për frymëmarrje, sepse jeton në një botë tjetër, ndryshe prej jetës sonë në këtë botë. Rrjedhimisht, fillimi i botës së ardhshme është jeta e varrit, siç njihet me emrin berzah. Ajo ka natyrë dhe rregulla të tjera nga bota jonë e tanishme. Aty nuk ka frymëmarrje, e as ushqim e pije apo punë, por ka begati të vazhdueshme apo dënim të vazhdueshëm, Allahu na ruajttë prej tij!Shiko dhe: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 79.
Çfarë është Xheneti dhe çfarë ka në të?
Xheneti është shtëpia e shpëtimit, është vendi i bukur në të ke çdo gjë që dëshiron, çdo gjë që do. Në Xhenet shkojnë njerëzit e mirë të cilët bëjnë vepra të mira, i ka tetë porta, të cilat janë të shkallëzuara. Hyjnë besimtarët në to sipas veprave dhe mëshirës që u takon. Pronari i veprave të mira të shumta do të jetë në një vend më të bukur dhe me të lartë sesa ai që ka më pak vepra të mira, por që të gjithë do të jetojnë në kënaqësi, begati e hare. Në Xhenet do të jetojmë të lumtur nuk do të sëmuremi asnjëherë dhe as nuk do të na kaplojë lodhja, do ta shohim Allahun e Madhëruar, do t’i shohim profetët (alejhimus-salatu ue selam) dhe do t’i takojmë të gjithë ata që i duam, me lejen e Allahut të Lartësuar. Aty kemi çdo gjë që duam a dëshirojmë nga: pijet, ushqimet, kënaqësitë dhe begatitë.
Çfarë është Xhehenemi dhe pse e ka krijuar Allahu atë?
Xhehenemi është gremina e dënimit, është vendi të cilin Allahu e ka përgatitur për të gjithë ata që bëjnë vepra të këqija dhe i dëmtojnë njerëzit, i bëjnë gjynah Allahut e nuk i binden urdhrave të Tij.
Po përfundimi i kafshëve si është? A shkojnë në Xhenet apo në Xhehenem?
Kafshët nuk janë të obliguara me bindje ndaj Allahut. Ato janë krijesa të nënshtruara të cilat i krijoi Allahu që t’i shërbejnë njeriut. Ato nuk kanë llogari e kështu as shpërblim e as dënim. Në Ditën e Gjykimit ringjallen të gjitha kafshët të cilat i marrin të drejtat e tyre nga njëra-tjetra. Kështu dashi pa njërën brinjë i goditur në jetën e kësaj bote, e merr hakun nga dashi me brinjë. Atëherë kur të përfundojë marrja e hakut te kafshët, Allahu u thotë të bëhen pluhur dhe kështu ato bëhen.