Pyetjet që kanë të bëjnë me besimin në Allahun

Pyetjet që kanë të bëjnë me besimin në Allahun

Me të vërtetë pyetjet më të shpeshta që vërtiten në mendjet e fëmijëve në fillim të vegjëlisë së hershme të tyre, janë pyetet që përqendrohen rreth Allahut të Lartësuar. Në vijim do të prezantojmë pyetjet më të shpeshta që ua parashtrojnë fëmijët prindërve të tyre.

Pyetje Kush është Allahu?

Fillimisht, është e udhës që mos ta presim fëmijën të na pyesë për Allahun, por të jemi ne iniciatorë që të flasim për Allahun gjithnjë, në çdo ndejë tonën. Sinqerisht, përgjigjja e duhur dhe e saktë për pyetjen e fëmijës për Allahun dhe cilësitë e Tij do të gdhend në zemrën dhe mendjen e tij besimin në Allahun dhe njëshmërinë e Tij . Kësisoj, mënyra më shembullore është t’i largohet fëmijës vëmendja nga vetë Qenia e Allahut te vëmendja në krijimtarinë e Tij, krijesat e Tij magjepsëse që tregojnë për Të, si p.sh.: qielli, retë, yjet, Dielli, Hëna, deti, pemët e të tjera.Mund të përfitohet nga libri: “Axhaib halkullah” Omer el Eshkar. Theksimi i mirësisë së Allahut dhe begatisë së Tij ndaj krijimit të tij (fëmijës), gjymtyrëve të tij, syve, veshëve, gojës, gjuhës, duarve, këmbëve dhe gjithë trupit të tij. I tregojmë atij që këtë qiell e ka krijuar Allahu, këtë tokë e ka krijuar Allahu, këto pemë i ka krijuar Allahu, derisa të mësohet me këto fjalë e të gjejë prehje në to. E, atëherë kur të na pyesë, kush është Allahu?! I përgjigjemi me shumë thjeshtësi: Allahu është Ai që ka krijuar çdo gjë përreth nesh dhe mbi ne, duke i dhënë shembuj të pafundë rreth krijesave.

Atëherë kur fëmijës ia kumtojmë dhe bëjmë me dije të gjitha këto krijesa magjepsëse, qiellore apo tokësore qofshin, dhe ia zbulojmë fshehtësitë e këtij sistemi të mahnitshëm dhe të këtij rregulli të përpiktë, i themi atij: A po e vërën këtë përsosmëri? Ai që i ka vendosur ligjet dhe ka rregulluar gjërat në këtë mënyrë të përkryer është Allahu . Më pas fëmija do ta njohë Zotin e tij me dituri e prova. I tregojmë atij, gjithashtu, që është Allahu Ai që ka krijuar çdo gjë dhe Asgjë nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Mëshirëbërësi, Furnizuesi, më Bujari, Ai i ka të gjithë emrat dhe cilësitë më të mira dhe më të bukura. Ai është i vetmi që meriton të adhurohet, i pa shok. Ai Allahu, i do fëmijët dhe i ka urdhëruar të mëdhenjtë që të përkujdesen për ta, t’u bëjnë mirë e dobi atyre dhe gjithë njerëzve. Gjithashtu, Allahu do të na marrë në llogari për veprat tona; për të mirat do të na shpërblejë dhe për të këqijat do të na ndëshkojë. Ai është Allahu që e shpërblen punëmirin për veprat e tij të mira dhe e dënon punëkeqin për veprat e tij të këqija. Është e rëndësishme, po ashtu t’u mësohen fëmijëve suret e shkurta nga fundi i Kuranit, pasi ato përmbajnë përgjigjet më të mira për qenien e Allahut dhe cilësitë e Tij, “Ai (Allahu) as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Kuran, 112:3-4).

Mund t’i parashtrojmë fëmijës pyetje, duke i thënë:

Kush është ai që ta ka blerë këtë rrobë kaq të bukur?
Babai im, – do të thotë fëmija.
Po në shkollë kush të dërgon?
Babai im, – do të pohojë ai.
Po kur sëmuresh kush të shoqëron për te mjeku?
Babai im, – do të përgjigjet ai.
Po në pushime kush ta bën qejfin nëpër shëtitje?
Babai im, – do të vazhojë të përgjigjet ai…
Pra, yt atë qenka ai që kujdeset për të gjitha gjërat e tua?
Po, – do të miratojë fëmija.
Kësisoj është Allahu, ndonëse Atij i takon shembulli më i lartë, Atij i takon i gjithë sundimi, të gjithë ne jemi nën kujdesin e Tij, Ai është Allahu Krijuesi i çdo gjëje, çdo gjë që e sheh përreth teje është nga krijimtaria e Allahut. Dielli, Hëna, retë, detet, kodrat, njerëzit, kafshët, shpezët, të gjitha Ai i krijoi, po ashtu Ai i ka krijuar engjëjt edhe shejtanët. Allahu është Krijuesi i tërë gjithësisë, Ai është më Bujari, i Gjithëmëshirshmi që kujdeset dhe na mbikëqyrë neve, na do dhe na sjell vazhdimisht të mira e dobi.

Pyetje A ka Allahu pamje si të njeriut?

Jo, Ai Allahu nuk është si ne. Asgjë nuk i shëmbëllen Allahut, është Ai i cili më ka krijuar mua, ju ka krijuar juve, i ka krijuar të gjithë njerëzit, i ka krijuar pemët, lumenjtë, detet dhe çdo gjë që ekziston në këtë botë. Ai është burimi i fuqisë, nëse Ai do të bëjë diçka, mjafton t’i thotë asaj gjëje, bëhu dhe do të bëhet. Allahu është ndryshe nga njeriu, njeriu nuk ka mundësi të krijojë qenie njerëzore, kurse Allahu ka mundësi t’i krijojë ata dhe mund të bëjë çdo gjë që Ai do. Meqë askush në këtë botë nuk mund ta shikojë Allahun, kësisoj nuk mund ta përshkruajë se si duket Ai. Ne nuk kemi aftësi ta shikojmë Allahun me gjithë Madhërinë dhe Dritën e Tij, pasi aftësitë tona janë të kufizuara.
Më pas kërkojmë nga fëmija që të provojë t’i shikojë rrezet e Diellit pa i rrudhur apo i mbyllur sytë, duke e pyetur: a mundet që të vazhdojë dhe më tej ta shikojë Diellin pa ia hequr fare sytë atij? Sigurisht që jo, – do të përgjigjet. Atëherë i themi se ngjashëm është shembulli i shikimit në Allahun, o xhan! Dritën që buron nga Allahu nuk kemi mundësi ta përballojmë, por kur të hyjmë në Xhenet, do ta shohim Allahun me lejen e Tij, të Lartëmadhëruarit.
Mund të shfaqet nga fëmija këtu një farë mosbindje e plotë, duke thënë: Si nuk është asgjë sikur Ai, si nuk i shëmbëllen asgjë Atij? Atëherë, këtu duhet ta bindim atë me qetësi, duke i thënë se mendjet tona sado që të jenë të mëdha e të zgjuara, mbesin mendje njerëzish, të mangëta, do të dish vetëm atë që Allahu dëshiron që të dish, fundi i fundit, ne njerëz do të mbesim.

Mund t’i themi pastajse i pastër është Allahu nga çdo e metë! Por, sikur Allahu t’i ngjasonte njeriut do të sëmurej si ne, do ushqehej dhe do pinte si ne, do të vdiste pasi njerëzit vdesin. Prandaj, Allahu nuk sëmurët, nuk ha e as nuk pi, nuk vdes, por Ai është i Gjalli përgjithmonë, Ai është Krijuesi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje në këtë kozmos, për këtë arsye nuk i shëmbëllen asgjë Atij. Përsëri mund ta pyesim fëmijën se a mundemi ne njerëzit t’i themi ndonjë gjëje, bëhu e pastaj ajo të bëhet? Sigurisht që jo, – do të përgjigjet. Kështu do të vijmë në përfundim me fëmijën që Allahu nuk është si njeriu, por Ai është Krijuesi Madhështor.
Gjersa vazhdojmë të bisedojmë, i themi fëmijës se të dëgjuarit tanë është i kufizuar, ne nuk dëgjojmë vetëm se brenda një frekuence dhe largësie të caktuar, sepse sikur të dëgjonim çdo gjë, do të stërmundoheshim. Shikimi ynë është i kufizuar, ne nuk shohim vetëm se nga një distancë e caktuar, po ashtu ne nuk mund të shohim prapa objekteve të ngurta, murit p.sh. Rrjedhimisht, sikurse që dëgjimi dhe shikimi ynë është i kufizuar, po ashtu edhe mendjet tona janë të kufizuara. Ato nuk i perceptojnë gjitha gjërat, padyshim mendja e njeriut është e kufizuar nuk kap çdo gjë. Që kur Allahu i Lartësuar i ka krijuar njerëzit e deri më sot, vazhdon të jetë pjesa e mosnjohurive nga njeriu shumë më e madhe se sa pjesa e njohurive të tij. Shembull kemi shpirtin që ndodhet në trupin e njeriut, edhe pse është kaq afër nesh ne nuk kemi mundësi ta paramendojmë apo ta njohim realitetin e tij. Kështu që pasi çështja jonë është kësisoj, brenda nesh, atëherë vallë, si qëndron çështja për diçka jashtë nesh?!
Si përfundim, kuptojmë që mendja e njeriut përderisa është e kufizuar, atëherë nuk ka aftësi që ta perceptojë vetë Qenien e Allahut të Lartësuar. Kësisoj, të folurit për pamjen e Allahut assesi nuk bëhet përmes imagjinatës, logjikës apo iluzioneve, por Allahun e njohim vetëm përmes Shpalljes dhe Kurani e ka të prerë këtë tematikë, siç thotë Allahut i Lartësuar: “Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është i Gjithëdituri, Gjithëshikuesi.” (Kuran: 42:11). Rrjedhimisht, pasi Allahu nuk është si ne dhe nuk i ngjason ndonjë gjëje, kjo shpie detyrimisht në madhërimin e Allahut të Cilin e kemi detyrë ta duam, të shpresojmë nga Ai dhe të frikësohemi prej dënimit të Tij. Kjo Madhështi e Tij shfaqet në shesh kur e kuptojmë që shikimi i Tij në Xhenet është, pa diskutim, begatia më e madhe e banorëve të Xhenetit.

Pyetje Kush e ka krijuar Allahun?

Sikur të bëhej kjo pyetje se kush e ka krijuar Allahun, atëherë do bëhej gjithashtu pyetja se kush e ka krijuar Krijuesin, apo jo? Kështu që, patjetër duhet ta kuptojmë që nga cilësitë e Krijuesit është se Ai nuk është i krijuar, por është Ai, Allahu që i ka krijuar të gjitha krijesat. Sikur të ishte Krijuesi i krijuar, atëherë nuk do ta adhuronim, apo bindeshim urdhrave të Tij. Gjegjësisht, pyetja se kush e ka krijuar Allahun është pyetje jo e saktë, pyetje boshe, e kështu pyetjet boshe janë të pakuptimta. Ngjashëm sikur të të pyesë ty ndokush, sa është gjatësia e brinjës së katërt të trekëndëshit? Nuk është e çuditshme që këtu nuk ka hapësirë për përgjigje, pasi vet emri i trekëndëshit tregon që i ka vetëm tri brinjë. Kësisoj, ana e gabimit të pyetjes se kush e ka krijuar Allahun është pasi fjala i krijuar dhe fjala Allahu nuk bashkohen në asnjë mënyrë. Allahu, Zoti, nuk krijohet, procesi i krijimit bie mbi krijesat, e kurrsesi mbi Krijuesin, askush nuk mundet të krijon Zotin, pasi atëherë do të ishte edhe Ai gjithashtu një krijesë. Allahu ekziston dhe është Ai i Cili nuk ka pasur fillim dhe para të Cilit nuk ka pasur asgjë dhe është Ai i Cili nuk ka mbarim dhe pas të Cilit nuk ka asgjë.

Ta zëmë që po supozojmë – në diskutim e sipër – që ndodhet një “krijues” i Allahut të Lartësuar! Atëherë do të rrjedhë pyetja e pambarim, po “krijuesin” e “krijuesit” të Krijuesit kush e krijoi? Më pas, po “krijuesin” e “krijuesit” të “krijuesit” të Krijuesit kush e krijoi?! E kështu me radhë, cikël të pyetjeve të pafundme, e padyshim kjo është e pamundur. Sa për afrim do të marrim shembullin e ushtarit dhe plumbit. Një ushtar dëshiron të gjuajë në shenjë, por që të gjuajë në shenjë duhet paraprakisht të marrë lejen e ushtarit që gjendet sipër tij. Ndërsa ushtari në fjalë që t’i japë leje që ai të gjuajë, duhet edhe ky gjithashtu të kërkojë lejen e ushtarit që gjendet sipër tij; e kështu me radhë deri në pafundësi. Tani shtrohet pyetja: ushtari a do ta gjuajë plumbin në shenjë apo jo? Natyrisht që jo, pasi asnjëherë nuk do të mbërrijë tek ushtari që t’i japë lejen të gjuajë në shenjë. Sikur të mbaronte vargu i personave te një njeri, që nuk ka sipër tij askënd tjetër, me fjalë të tjera s’ka nevojë të marrë leje që të gjuajë, atëherë ai do të jepte leje për shtimin në shenjë dhe do të mbaronte çështja me plumbin e gjuajtur. Kësisoj pa këtë njeri, pa marrë parasysh se sa është numri i personave, plumbi nuk do të gjuhej, sepse ata janë sikur zerot të radhitura njëra pas tjetrës, sado shumë që të jenë ato, edhe sikur të mbërrijnë një cak që s’i shihet fundi, përsëri pa vlerë do të mbesin, derisa të mos vendoset para tyre numri një apo një shifër tjetër përveç zeros.

Pyetje Nga ka ardhur Allahu?
Sa është mosha e Tij?
Çfarë kishte përpara Allahut?

Pasi e mësove tani, o i dashur, që Allahu nuk është i krijuar, atëherë gjithsesi Ai as nuk lind dhe as nuk është i lindur. Ai nuk ka fillim dhe as fund. Kësisoj, Ai nuk ka moshë siç kemi ne njerëzit, sepse Allahu është Krijuesi, Madhështori, është Ai që nuk ka nevojë për asgjë, i Madhi, është Zotëruesi i fuqisë, shumë i Fuqishëm, i Plotfuqishmi, Mëshirëbërësi, i Cili i ka gjithë emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta, i ka cilësitë të plota nga çdo anë pa asnjë mangësi. Pra, Allahu i Lartësuar është Ai që e solli në ekzistencë botën, krijesat dhe tërë gjithësinë.

Allahu është i Pari, i Cili nuk ka pasur fillim dhe para të Cilit nuk ka pasur asgjë. Ai është i Fundit, i Cili nuk ka mbarim dhe pas të Cilit nuk ka asgjë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi (me argumente) dhe i Padukshmi (me sy). Ai është i Dijshëm për çdo gjë!” (Kuran, 57:3). Allahu i Lartësuar nuk përkufizohet nga koha e as nga vendi. Koha si krijesë e Allahut nuk dallon nga krijesat e tjera. Nuk është e mundur për krijesat që ta përkufizojnë apo rrethojnë Krijuesin e tyre të Lartësuar, por Allahu është jashtë krijesave të Tij, Ai i ka të gjitha cilësitë e plota dhe të bukura. Është e udhës që të merret parasysh këshilla profetike, në këtë rast, siç përcjell Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti ka thënë: “I vjen shejtani ndonjërit prej jush dhe i thotë: -Kush e krijoi këtë? Po këtë kush e krijoi? Derisa t’i thotë: -Kush e krijoi Zotin tënd? Nëse çështja mbërrin këtu, atëherë le të kërkojë besimtari mbrojtjen e Allahut ndaj shejtanit të mallkuar dhe le të ndalojë aty.”Shiko: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 49. Të kërkuarit e mbrojtjes së Allahut në këtë rast dhe orientimit të mendimeve të fëmijës në një çështje tjetër në formë jo të drejtpërdrejtë, që të mos vazhdojë të hutohet me këto lloj pyetjesh është gjithashtu nga përgjigjet e rëndësishme, në këtë rast. Mënjanimi i mendimeve nuk është si pasojë e mosprezencës së përgjigjes, por është me qëllim të mbylljes së portës së vesveseve.

Pyetje A është Allahu mashkull apo femër?

Siç e qartësuam dhe më herët, duhet të përpiqemi shumë që ta largojmë të menduarit e shumtë të fëmijës rreth Qenies së Allahut, duke ia orientuar mendimet e tij në gjëra nga të cilat përfiton dhe i sjellin dobi. Pëlqehet këtu që t’i sqarohet fëmijës se çështja e gjinisë, mashkull apo femër është nga domosdoshmëritë e dallimit në mes të grupeve dhe llojeve të krijesave, të gjallesave. Allahu është Ai që u dha këtë veçori krijesave të Tij, siç thotë Ai i Lartësuari: “Ai krijon çiftet, mashkull e femër.” (Kuran: 53:45).

I pastër dhe i Lartësuar është Allahu nga kjo ndarje, madje ka dhe krijesa të tjera të cilat nuk kanë gjini, siç janë engjëjt p.sh., apo qielli, retë, ajri, apo uji; të gjitha këto nuk kategorizohen në gjini as mashkull e as femër. Rrjedhimisht, kur ka krijesa – me gjithë mangësitë e tyre – që nuk pranojnë të ndahen në gjini, atëherë Allahu është edhe më parësor që të mos ketë gjini, siç thotë Ai: “Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është i Gjithëdituri, Gjithëshikuesi.” (Kuran, 42:11).

Pyetje Pse të besojmë në ekzistencën e Allahut?
Çfarë e vërteton ekzistencën e Tij?

Besimi në Allahun e Madhëruar është natyrshmëri e çiltër njerëzore, të cilën s’mund ta mohoj askush. Dëshmitë për ekzistencën e Allahut janë të shumta, aq sa njerëzit vazhdojnë të zbulojnë prova të njëpasnjëshme për ekzistencën e Tij, secili sipas profesionit dhe fushës së tij të caktuar. Dëshmitë e natyrshmërisë së çiltër në brendësinë e njerëzve e vërtetojnë ekzistencën e Allahut. Allahu i Lartësuar në librin e Tij fisnik thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.” (Kuran, 30:30). Çdonjëri prej nesh has në një forcë të brendshme që i flet për madhështinë e Allahut, fuqinë e Tij dhe kujdesin e Tij për ne. Ndërsa dëshmitë shkencore reale të perceptuara nga shqisat e mbështesin ekzistencën e një sistemi të përkryer në këtë kozmos. Ky sistem i përkryer me këtë përpikëri patjetër duhet që të ketë një Krijues. Ngase kush i solli në ekzistencë të gjitha këto krijesa dhe u kujdes për to? Përgjigjja mund të jetë në disa forma:

Së pari, këto krijesa erdhën dhe u krijuan rastësisht pa ndonjë shkak të jashtëm që do i sillte ato në ekzistencë; kështu që askush nuk do të dinte se si u krijuan të gjitha këto gjëra.
Së dyti, mund të jetë që të gjitha këto gjëra e sollën veten e tyre në ekzistencë dhe u kujdesën vetë për çështjet e tyre.
Së treti, këto krijesa kanë një Krijues i cili i solli në ekzistencë. Kur i vështrojmë këto tri mundësi e kuptojmë se e para dhe e dyta janë të pamundshme, e kështu mbetet patjetër përgjigjja e tretë si e vetme e qartë dhe e saktë, e cila pohon se këto krijesa i ka krijuar Krijuesi i tyre që është Allahu i Madhëruar, siç është cekur në Kuranin fisnik, kur thotë Allahu i Lartësuar: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur.” (Kuran, 52:35-36).

Nga argumentet e tjera të kapshme nga shqisat rreth ekzistencës së Allahut të Madhëruar është, gjithashtu, përgjigjja e Allahut ndaj lutjeve. Po ashtu, përsosmëria në krijimin e qiejve dhe të Tokës, siç thotë Allahu i Lartëmadhëruar: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët.” (Kuran, 3:190). Po ashtu, përpikëria në krijimin e njeriut, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Po edhe në vetet tuaja – a nuk e shihni vallë?” (Kuran, 51:21). Gjithashtu, në krijimin e yjeve, kodrave, kafshëve dhe krijesave të tjera, të gjitha tregojnë për përsosje nga Krijuesi, i lavdëruar dhe i pastër është Ai nga çdo e metë! Shenjat e Allahut janë të shpërndara në horizonte, në vetet tona, në frute e gjithandej, që të gjitha dëshmojnë për ekzistencën e Allahut, të Vetëm, Një i Pashok. Kësisoj ekzistenca e gjithë këtyre krijesave duhet të ketë një qëllim dhe cak se pse janë krijuar. Arsyeja pse janë krijuar është që ta adhurojnë Allahun të Vetëm, duke mos i shoqëruar Atij asgjë.

Mund t’i rrëfejmë ndodhinë e Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!) kur disa njerëz i kërkuan atij t’i dëshmojë teuhidin rububijeh, ku ai u drejtohet atyre dhe u thotë:
– Më lejoni – para se të flas rreth kësaj tematike – o ju njerëz! Anija në lumin Tigër, shkoi dhe u mbush me ushqim, pajisje e gjëra të tjera vetë dhe u kthye gjithashtu vetë, po ashtu vetë u ndal në port, u shkarkua dhe u kthye përsëri; të gjitha këto lëvizje u bënë pa udhëheqjen e askujt.
– Është e pamundur! S’ka mundësi kurrë! – u përgjigjën njerëzit. Atëherë u tha:
– Nëse për një anije është e pamundur, më thoni vallë, si është e mundur e gjithë kjo harmoni e çdo gjëje në këtë botë me çdo gjë që ka nën të dhe mbi të?!Shiko: “Sherhul akide et tahavijeh” Ibn Ebil Iz el Hanefij, me recensim të Ahmed Shakir, f. 35. Prandaj, është e pakuptimtë dhe pamundur që i gjithë ky krijim i përsosur me përpikëri të jetë pa Krijues të Gjithëfuqishëm, të Gjithëditur.
Gjithashtu mund t’i thuhet fëmijës, atëherë kur të ndieje dhimbje barku, a nuk e kupton se je i uritur, e vetvetiu do të kërkosh për ushqim që të ngopësh barkun? Apo kur të jesh i etur, a nuk do të kërkosh për atë që ta shuan etjen? Apo kur ta nuhasësh ndonjë aromë të këndshme a nuk do të ndihesh i lumtur? Apo kur të nuhasësh ndonjë aromë të keqe, a nuk ndihesh i shqetësuar? Apo kur t’i vështrosh lulet e trëndafilat, qiellin dhe natyrën përreth, a nuk do ta ndjesh gëzimin e harenë? Kështu pra, o i dashuri im, ne vetvetiu ndiejmë që kemi nevojë për një Zot Madhështor, tek i Cili kthehemi e përgjërohemi vazhdimisht kur të kemi nevojë për Të, që të gjejmë prehjen e sigurinë. Atëherë kur të ndihemi të pikëlluar e të mërzitur, ne vetvetiu drejtohemi tek Allahu duke e lutur Atë, e nëse do ndihemi të lumtur përsëri i drejtohemi Atij me falënderim e mirënjohje. Pyetjet e fëmijëve rreth besimit.

Pyetje A dëgjon Allahu,sheh apo flet si ne?

Sigurisht që Allahu flet, dëgjon dhe shikon, siç thotë Ai i Lartësuari: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij.” (Kuran, 58:1). Dhe thotë: “(Allahu) tha: ‘Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh’.” (Kuran, 20:46). Dhe thotë: “Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Kuran, 11:112). Mirëpo e folura e Tij nuk është si të folurit tanë, po ashtu shikimi dhe dëgjimi i tij nuk është si i yni, pasi Allahut nuk i ngjason askush nga krijesat e Tij.

Ai i dëgjon të gjitha zërat sado që të jenë të ulëta, Ai i sheh të gjitha gjërat, sado që të jenë të largëta, Allahu dëgjon çdo gjë edhe sheh çdo gjë. Dëgjimi dhe shikimi i Tij nuk i përngjan dëgjimit dhe shikimit të krijesave e që është i mangët dhe i dobët. Kjo pasi Allahut “Asgjë nuk i përngjan Atij dhe Ai është i Gjithëdituri, Gjithëshikuesi.” (Kuran, 42:11). Do ishte mirë që ndërkohë të bëhet lidhshmëria me virtytet drejtpërdrejt me temën në fjalë, duke i thënë se Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë, a na takon neve të flasim gjëra që nuk e kënaqin Atë, apo të na shikojë Ai në gjendjen që nuk na takon?!

Pyetje A ka Allahu uri apo etje?

Allahu i Madhëruar i ka të gjitha cilësitë e plota dhe të përkryera, Atij nuk i atribuohet asnjë cilësi e mangët. Sigurisht uria dhe etja janë manifestime të mangësisë dhe dobësisë, kështu që nuk lejohet t’i atribuohen Allahut cilësitë e dobësisë. Allahu nuk ka nevojë për ushqim e pije,Shiko: “el Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush (fq. 35) pasi Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe nuk ka nevojë për ndonjë gjë, se sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, atëherë nuk do të ishte Zot. Allahu është “Es Samed”, është Ai të Cilit i drejtohen krijesat për çdo nevojë, meqenëse është i Fuqishëm dhe ka mundësi ta bëjë atë që i kërkohet. I Përkryeri që i ka të gjitha cilësitë të përsosura në shkallën më të lartë. Ai i Cili nuk ka asnjë të metë. I Përhershmi, që nuk ka pasur fillim dhe nuk ka mbarim. Ai që nuk ka nevojë për asgjë, por të gjitha krijesat kanë nevojë për Të. Ai që nuk ka brendësi. Ai pra nuk ha dhe nuk ka nevojë për ushqim e as për pije, i Pasur është Ai nga çdo gjë.

Mund t’i thuhet gjithashtu që nuk ka hapësirë për krahasim në mes të krijesave dhe Krijuesit. Nuk është me doemos që çdo gjë që zbulojmë apo shpikim t’i ketë edhe cilësitë tona apo formën tonë, apo jo? Kështu pra, Allahu nuk ka uri e as etje. Më lejo të të pyes diçka – i drejtohemi fëmijës -, kush e ka shpikur biçikletën? Do të përgjigjet se e ka shpikur prodhuesi i saj, sigurisht. Shkëlqyeshëm, eja tani biri im (bija ime), le të imagjinojmë së bashku që biçikleta flet dhe e pyet shpikësin e saj: -Çfarë hani apo pini ju? Vallë, çfarë do t’i themi biçikletës?! Do t’i themi asaj se kjo çështje nuk është e jotja, nuk të hyn fare në punë, apo çfarë do të përfitoje tek e fundit sikur ta dije? Ta zëmë sikur po të përgjigjemi, vallë a përvetësove aftësi të tjera përveç atyre themeloreve të rolit tënd të caktuar, që janë të ecësh me shpejtësi dhe pa pengesa?

Shkëlqyeshëm! Pra kështu, o i dashuri im, Allahu na ka krijuar ne për një rol të caktuar që është: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Kuran, 51:56). Këto lloj pyetjesh nuk do të na ndihmojnë të përmbushim rolin e caktuar për ne nga Krijuesi ynë. Përkundrazi, këto pyetje do të na zhvendosin mendjet tona nga roli ynë i kërkuar nga Krijuesi në gjëra të tjera të cilat na lënë pas. T’i kthehemi shembullit tonë imagjinar të biçikletës, a thua kur do të drejtohej biçikleta që të na pyesë ne? Atëherë kur të ketë ndonjë prishje apo jo, ajo i drejtohet shpikësit të saj që t’i rregullojë të metat, sigurisht. Prandaj ne i drejtohemi Allahut të Lartësuar me lutje kur të na kaplojë plogështia në adhurimin e tij, apo kur të na godasë ndonjë dëm i caktuar.

Pyetje Sa është fuqia e Allahut?

Nëse flasim për fuqinë apo forcën e kufizuar atëherë ne po flasim për një cilësi të mangët me të meta, pasi kufiri i fundit i forcës është fillimi i dobësisë së saj, kurse dobësia nuk i takon Allahut të Plotfuqishëm. Allahu ka fuqi absolute të pafundmë dhe Ai nuk është i Tillë që ta bëjë ndonjë gjë Atë të paaftë (pa mundësi për të vepruar), i pastër nga çdo e metë është Ai. Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk e di ti se Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!” (Kuran, 2:106).

Kur Ai do diçka i thotë asaj: bëhu, dhe bëhet! Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë, sepse Ai është Krijuesi i çdo gjëje, Ai nuk është i Tillë që ta bëjë Atë ndonjë gjë të paaftë (të pa mundur për të vepruar) në tokë e as në qiell. Fuqia e kufizuar është fuqia e krijesave, pasi është fuqi e krijuar, kurse fuqia e Krijuesit, nuk ka kufi e as mangësi, kësisoj vetëm Allahut i takon e drejta për tu adhuruar, për ta lutur apo drejtuar Atij me kërkesa, sepse vetëm Ai është i Gjithëfuqishëm që t’ua plotësojë kërkesat krijesave, për t’i furnizuar ata, për t’u përmbushur dëshirat dhe për t’u kujdesur për çështjet e tyre.Shiko: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 31; shiko dhe “Muhtesar el fikhi el islamij” Muhamed et Tuvejxhrij, f. 58.

Pyetje Ku është Allahu? Po madhësia e Tij sa është?

Pasi ta kuptojë fëmija në vegjëli se Allahu është Ai që e ka krijuar, se Allahu i do shumë fëmijët dhe se Ai i ka begatuar ata me shumë mirësi, mund t’i sqarohet atij që Allahu është mbi qiell. Siç thotë Allahu : “A jeni të sigurt se kush është mbi qiell (Allahu)…?” (Kuran, 67:16). Pra, i Lartësuari është mbi qiell, ndërsa dituria e Tij përfshin çdo vend. Thotë Allahu i Madhëruar: “Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (Kuran, 57:4). Duhet pasur kujdes që të mos themi Allahu është në çdo vend, pasi kjo nënkupton që Ai është brenda çdo gjëje, pa dyshim që kjo është një e pavërtetë e madhe. Ne jemi të obliguar të pohojmë atë që është përcjellë në hadithet e sakta, siç thotë Muavije ibn el Hakem es Sulemi: “Kam pasur një tufë bagëtish të cilat i ruante një robëreshë e imja.

Një ditë, dola për ta kontrolluar tufën dhe pashë që ujku e kishte grabitur një prej tyre. Unë jam njëri prej bijve të Ademit (d.m.th.: kam natyrë njerëzore), prandaj u zemërova dhe e godita rëndë robëreshën. Pastaj erdha tek i Dërguari, i tregova për atë që bëra dhe ai e cilësoi veprimin tim gabim të madh. Unë i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, a ta liroj nga robëria?’ Tha: ‘Ma sill këtu!’ E solla atë dhe atëherë Profeti e pyeti: ‘Ku është Allahu?’ Ajo tha: ‘Mbi qiell (në lartësi).’ I tha: ‘Kush jam unë?’ Tha: ‘Ti je i Dërguari i Allahut.’ Pas kësaj më tha: ‘Liroje, sepse ajo është besimtare’.” Shënon Muslimi (537) Megjithëse Ai është mbi qiell, Ai ka mundësi të na shikojë dhe të na dëgjojë në çdo vend. Të theksuarit e vazhdueshëm te fëmijët që Allahu na mbikëqyr ne çdoherë, e zhvillon te fëmija përmbajtjen e brendshme dhe e bën tek ai mbikëqyrjen e Allahut burim të ndërgjegjes.

Kurse për sa i përket madhësisë së Tij, assesi Allahu nuk krahasohet me asgjë prej krijesave të Tij. Allahu është më i Madhi sesa çdo gjë, më i Madh se të gjitha krijesat, sado që të jenë të mëdha ato, Krijuesi i tyre është më i Madh. Ai është që i bën kodrat hi e pluhur, i lëviz detet, e urdhëron ujin të futet brenda tokës, nuk ndodhë ndonjë gjë në kozmos vetëm së me lejen dhe dëshirën e Tij, të Lartësuarit. Allahu nuk ka nevojë për krijesat, qielli është krijesë nga krijesat e Allahut, ndërsa ekzistenca e Tij mbi qiell nuk nënkupton kufizimin i Tij në qiell, Ai nuk ka nevojë për qiellin, pasi Ai është i Pasur nga çdo gjë.Shiko: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 32, 45

Pyetje Si ka mundësi që Allahu na shikon ne, ndërsa ne nuk e shohim Atë?

Shqisa e shikimit të cilën Allahu na e ka dhënë në këtë botë është e dobët, shumë gjëra nuk mund t’i shohim përmes saj; kësisoj e vëren se si njeriu e përdor mikroskopin dhe mjete të tjera zmadhuese. Atëherë kur njeriu është i paaftë t’i shikojë disa gjëra të krijuara, është edhe më parësore që të jetë i paaftë që ta shikojë Allahun e Lartësuar. Aftësitë e njeriut në këtë botë nuk ia mundësojnë atij ta shohin Allahun. Ne nuk kemi mundësi ta shohim Allahun, mirëpo ne e besojmë Atë dhe besojmë që Ai është Mëshirëbërës dhe na do ne. Ai është i Forti, i Gjithëfuqishmi që është i aftë për çdo gjë dhe Ai di çdo gjë. Ai e di që ne tani po flasim për Të, Ai është më i Larti, shumë lart mbi ne. Ai na shikon të gjithë ne përnjëherë. Siç mund të jetë shembulli i një njeriu të hipur mbi kulm të ndërtesës i cili i vështron të gjithë njerëzit në rrugë, ndonëse ata nuk e shohin atë. Allahu i Lartësuar na shikon ne, ndërsa ne nuk e shohim atë. Ka shumë gjëra të cilat ne nuk arrijmë t’i shohim edhe pse ato janë të pranishme.

I themi fëmijës se sytë tanë nuk mund të shohin çdo gjë. Ne nuk e shohim zërin, ndonëse ne e dëgjojmë atë, ne nuk e shohim ajrin edhe pse e ndiejmë atë; e kështu pra, sytë tanë nuk mund ta shohin Allahun në këtë botë, por shpresojmë që ta shohim Allahun në Xhenet, me lejen e Allahut. Atje do të kemi sy më të mirë të cilët na e mundësojnë ta shohim Allahun e Madhëruar, kësisoj pra, “Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” (Kuran, 6:103).

Pyetje A i shikon Allahu të gjithë njerëzit kur ata janë shumë?

Që t’i përgjigjemi fëmijës në këtë pyetje, praktikisht e marrim fëmijën dhe qëndrojmë me të në rrugë, më pas i themi: -Eja, shiko njerëzit dhe na trego numrin e atyre të cilët po i shikon. Dhe e fillojmë numërimin e tyre bashkë me fëmijën. Më pas e marrim fëmijën dhe ngjitemi më lart, të themi në katin e dytë të shtëpisë, i kërkojmë t’i numërojë përsëri njerëzit të cilët po i shikon. Pastaj e marrim fëmijën dhe ngjitemi në kulm të ndërtesës dhe i kërkojmë t’i numërojë njerëzit të cilët po i shikon. Shtuar kësaj, i sjellim fëmijës edhe një palë dylbi që t’i shikojë njerëzit me pamje edhe me të mirë dhe t’i numërojë të gjithë me saktësi. Nga ky shembull ia sqarojmë atij që ne nuk mund t’i llogarisim gjërat përshkak të aftësive tona të kufizuara, kurse aftësia e Allahut është më e madhe dhe madhështore sesa aftësia e gjithë krijesave; gjithnjë duke ia gdhendur fëmijës “… se Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!” (Kuran, 2:106).

Mund t’i parashtrojmë fëmijës një pyetje tjetër të kapshme nga shqisat ku i themi atij: -A beson se milingona mund të na shikojë ne me të gjitha detajet tona, apo ajo na shikon vetëm si një përfytyrim a hije? Do të përgjigjet që milingona nuk mund të shikojë nga ne vetëm se një pjesë të vogël të gishtit të këmbës nëse do gjendej në tokë, aq sa asaj mund t’i duket gishti sikurse një kodër e madhe. Mirë, më tutje e pyesim atë: -A mendon që milingona mund të na pyesë ne duke na thënë se si ka mundësi që ti na shikon, të gjithave përnjëherë? Përgjigjja jote do të ishte se kjo është shumë normale, pasi kjo përshtatet me aftësitë tuaja me të cilat të ka krijuar Allahu. Ndërsa aftësitë e milingonës janë të kufizuara, aq sa mund të ketë shumë shtëpi milingonash në disa anë dhe ti mund t’i vëresh ato me shumë lehtësi në të gjitha ato vende në të njëjtën kohë. Kurse milingona me aftësitë e saj të kufizuara mund të mos shikojë ashtu siç shikon ti. Prandaj, pasi ramë dakord që Allahut të Lartësuar nuk i ngjason asgjë dhe që Ai është i Plotfuqishëm të bëjë çdo gjë, nuk është e përshtatshme ta pyesim Allahun – me gjithë aftësitë tona të kufizuara të dobëta – për ndonjë gjë që për Allahun është shumë e zakonshme. Fuqia e Allahut është më Madhe dhe më Madhështore se fuqia e të gjitha krijesave dhe “…se Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!” (Kuran, 2:106).

Pyetje Si ka mundësi që Allahu na shikon në shtëpitë tona, ndërkohë që dyert dhe dritaret e shtëpive janë të mbyllura? A i shikon Allahu njerëzit në errësirë?

Mund t’i përgjigjemi fëmijës duke e shtyrë atë që të shikojë ndonjë skenë nga ndonjë film ku shfaqen ushtarët me pajisjet e tyre ushtarake të cilët shohin natën përmes dylbive të posaçme për shikim gjatë natës. Apo ia shfaqim fëmijës ndonjë pamje se si shohin disa kafshë dhe shpendë përgjatë natës. Në disa filma të animuar të cilët i shikon fëmija a lodra me të cilat luan, gjenden disa rreze, p.sh.: laserike, përmes të cilave qartësohet çfarë fshihet pas gjërave, gjithashtu na mundësojnë t’i shikojmë gjërat në errësirë. Pastaj i themi fëmijës, a nuk po shikon se si njeriu, kjo krijesë e dobët, apo ndonjë krijesë e thjeshtë po arrin t’i shikojë gjërat nganjëherë në errësirë? Atëherë çfarë të themi për Zotin tonë i cili e ka krijuar njeriun dhe të gjitha krijesat e tjera?!“Minel jevm len tehrub min es’ileti tiflik el muhrexheh”, Abdullah Abulmuatij, f. 103. Allahu na ka dhënë forcën për t’i zbuluar këto gjëra, si atëherë të mos ketë Ai mundësi t’i shikojë gjërat në errësirë ndërsa Ai është i Plotfuqishmi, Gjithëvëzhguesi i çdo gjëje? Ai është më Madhështori, më i Madhi dhe fuqisë së Tij nuk i bën ballë dhe nuk arrin ta përkufizojë Atë asgjë.

Ia shfaqim fëmijës një pamje të rrezeve mjekësore dhe më pas i themi atij se njeriu, të cilin e krijoi Allahu, arriti ta shikojë kockën përmes fotografimit me rreze rëntgen, ndërkohë që ai gjendet i mbështjellë dhe i mbyllur mirë. Atëherë, si do të jetë çështja e Zotit tonë, i Cili e krijoi vet njeriun? Ai i Lartësuari sigurisht që na shikon ne në shtëpitë tona edhe sikur të gjitha dyert e shtëpive të jenë të mbyllura, pasi asgjë nuk i ngjason Allahut. Ai nuk është si njerëzit që ndërtesat e privojnë nga shikimi se çfarë ka brenda tyre. S’ka mundësi, në asnjë mënyrë, të jetë Krijuesi si krijesat, sepse Allahu i Lartësuar është i Gjithëfuqishëm të bëjë çdo gjë. Gjithashtu, është e udhës që kjo përgjigje t’i lidhet me virtytet e fëmijës, duke ia përforcuar anët e ndjenjës së mbikëqyrjes së Allahut dhe përkatësisë fetare të tij.

Pyetje A i di Allahu të gjitha punët tona? A i mbikëqyr Ai të gjithë njerëzit?

Vazhdimisht duhet t’i bëhet me dije fëmijës se Allahu i ka të gjitha cilësitë e bukura dhe të përkryera nga çdo anë pa asnjë të metë. Duhet që t’i mësohet atij se fuqia e Allahut është e pakufizuar, Ai është i Gjithëfuqishmi, i Plotfuqishmi, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu është i Fuqishëm për (të bërë) çdo gjë?!” (Kuran, 2:106). Pra, pasi fuqia e Tij është Madhështore, asgjë në Tokë e as në qiell nuk e bën Atë të paaftë (të pa mundur) për të vepruar ndonjë gjë. Ne nuk kemi mundësi assesi ta krahasojmë fuqinë e Tij me fuqinë e krijesave, sado që të jetë e madhe fuqia e krijesave, fuqia e Allahut është shumë më e madhe sesa ajo.

Sa për krahasim mund të marrim shembullin e kamerës dhe thjerrëzave të saj, ku ajo mund të regjistrojë çdo gjë të madhe a të vogël që është nën thjerrëzën e saj. Ndërsa, Allahu ka fuqinë më të madhe dhe Atij i takon shembulli më i Lartë, Ai mund t’i mbikëqyrë dhe vëzhgojë të gjithë njerëzit përnjëherë, në të njëjtën kohë, sepse fuqia e Tij është e pakufizuar, nuk ka fund, Allahu i Madhëruar di dhe dituria e Tij është gjithëpërfshirëse dhe e plotë nga çdo anë dhe për çdo gjë.Shiko: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 42.
Një shembull tjetër të cilin mund ta marrim, i themi fëmijës ta zëmë që diku ndodhet një kompani shumë e madhe e cila dëshiron t’i mbikëqyrë punëtorët e saj. Dhe kështu, kompania i vendos kamerat vëzhguese duke mos i njoftuar fare punëtorët e saj, kësisoj ajo i mbikëqyr të gjitha sektorët e kompanisë në të njëjtën kohë. Kur robi i shkretë të cilin e ka krijuar Allahu e arrin këtë shkallë, vallë a nuk mundet Krijuesi i këtij robi t’i mbikëqyrë të gjithë robërit e Tij, në të njëjtën kohë?

Pyetje Pse njeriu vdes, ndërsa Allahu është i pavdekshëm?A më do mua Allahu ashtu siç e dua unë Atë?

Vdekja është nga caktimet e Allahut të cilën ia ka caktuar krijesave të tij, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: “Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen dhe pastaj të gjithë do të ktheheni tek Ne.” (Kuran, 29:57).
Vdekja është dukuri e pandashme që tregon dobësinë e krijesave, kësisoj kjo dobësi nuk i takon Allahu të Lartësuar. Allahu nuk është i krijuar dhe nuk do të vdesë, ndërsa njeriu është i krijuar dhe do të vdesë. Jeta e Allahut të Lartësuar nuk është si jeta jonë, jeta jonë, në këtë botë, mbaron me vdekjen tonë, siç do vdesin të gjithë krijesat e tjera dhe do mbetet vetëm Allahu i Madhëruar. Jeta e Allahut është e plotë nga të gjitha anët që doemos rezulton që të gjitha cilësitë e Tij të jenë të plota, të përkryera nga çdo e metë, e prej tyre nga më të rëndësishmet është cilësia e jetës, që nuk vdesë kurrë.Shiko: “El Es’iletul akadijeh indel atëfel uel ixhebeh alejhe” Dr. Besam el Amush, f. 54; shiko dhe: “Allahu hajun la jemut” Muhamed Ratib en Nebulsij, ueb-faqja: nabulsi.com

Allahu është Mëkatfalësi, Mëshirëbërësi i cili i do të mirët, të drejtit dhe të sinqertët. Thotë Allahu i Lartësuar: “O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan…” (Kuran, 5:54). Reflektohet nga dashuria e Allahut për robërit e Tij se Ai i nderon ata, i ruan dhe kujdeset për ta, i udhëheq çështjet e tyre, i furnizon dhe ua falë atyre gjynahet. Secili prej nesh e ndien dashamirësinë e Allahut dhe bujarinë e Tij. Allahu e do robin e Tij që i bindet, i afrohet Atij dhe i mbledh shkaqet që të përfitojë dashurinë e Tij; siç janë: kujdesi i faljes së namazeve, bamirësia ndaj prindërve, lëmosha, bamirësia ndaj njerëzve, sinqeriteti, leximi i Kuranit, përmendja e Allahut në mënyrë të rregullt, si dhe shumë punë tjera të mira. Kësisoj, çdonjëri që i bën këto vepra, Allahu i Lartësuar do ta dojë atë.

Back to top button